Në librin e tij “Blloku” Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës ka rrëfyer sekretet nga jeta në “Bllok”. Kalo ka sjell kujtimet e tij personale në një libër, ku rrëfen raportet me personazhet e kohës, nga diktatori Hoxha tek bashkëshortja e tij Nexhmija Hoxhën, Ramiz Alinë dhe shumë të tjerë që jetonin në zonën e Bllokut.
FURTUNA E PARË
Në të vërtetë “klithmën” e parë serioze të sëmundjes ishemike zemra e Enverit e pat dhënë gjatë orëve të natës në mesin e korrikut 1973, ndërkohë që ai po pushonte në plazhin e Durrësit. Unë kisha vetëm pesë ditë që isha emëruar dhe ardhur aty si mjek i tij. Sulo Gradeci më pati vendosur aty pranë në një dhomë pa telefon të “stabilimentit”, siç quhej vendi ku në mbrëmje udhëheqësit mblidheshin pasditeve vonë për biseda dhe kafe.
Me kërkesë të Nexhmijes, në orën dy të natës, më zgjoi i alarmuar Fahriu, një djalë i ri 23-vjeçar ndihmësmjek dhe njëkohësisht oficer shoqërues i Enverit dhe të dy bashkë u drejtuam me vrap për në vilën e tyre rreth 100 metra më tutje. Aty kishim çantën e ndihmës së shpejtë dhe një aparat portativ elektrokardiograme. U ngjitëm me një frymë në katin e dytë dhe e gjetëm Enverin në dhomën e gjumit, të shtrirë gjysmë ndenjur në shtrat, kurse Nexhmijen të ulur përballë tij në një divan me një libër në duar.
Ai dukej i qetë dhe madje kërkoi falje për shqetësimin në atë orë të vonë, por “ç’t’i bëjmë Nexhmijes që alarmohet”, tha. Nexhmija shpjegoi se ai ndiente një shqetësim të zgjatur si dhembje dhe përzierje, “një indixhestion në bark”, siç u shpreh ajo, që nuk po e linte të flinte dhe nuk po i qetësohej me gjithë barnat për tretje të ushqimit që ajo vetë ia kishte dhënë, ndërsa na tha se na thirri se mos kishim diçka më të fortë e më efektive.
Unë i kërkova leje pacientit nëse mund ta ekzaminoja. Ai u bind menjëherë. Ishte vizita e parë dhe hera e parë që vija dorë në trupin e tij. Zemra e tij rrihte mirë (imja rrihte edhe më fort!), por barku ishte i butë, pa meteorizëm dhe pa dhimbje në prekje. Aso kohe Enveri ishte 65 vjeç, me mbipeshë të dukshme trupore, duhanpirës “i egër” (80 cigare në ditë), i sëmurë me diabet të shfaqur prej 25 vitesh, që bënte jetë sedentare, pa aktivitet fizik dhe me stres të vazhdueshëm në punë. Ekzaktësisht me të tillë faktorë rrezikues për zemrën pat vdekur papritur nga infarkti i miokardit në moshën 52-vjeçare Gamal Abdel Naseri, president i Egjiptit. Ngjashëm me të edhe Gogo Nushi tre vjet më parë në moshën 57-vjeçare me të njëjtat rreziqe dhe diagnoza edhe ai.
Çdo mjek që kishte në dispozicion një aparat elektrokardiogram për t’ia regjistruar zemrën në atë çast nuk do e humbiste këtë rast. Për të zbuluar nëse ajo çka ai ankohej kishte lidhje me isheminë në zemër apo jo, së paku ajo diagnoze si më e rrezikshmja duhej verifikuar. Prandaj me droje apo thuajse si lutje i propozova t’i bënim një elektrokardiogram. Nexhmija kërceu nga vendi e habitur. “Jo doktor”, tha, “Enveri nga zemra nuk ka pasur asnjëherë problem (e ka zemrën çelik i kishin thënë asaj dhe atij duke i uruar gjithmonë).”
Por çuditërisht ai vetë miratoi me dashamirësi. “Po mirë e bëjmë kur të kthehemi në Tiranë”, tha ai, duke iu referuar asaj që kishte bërë gjatë kontrolleve periodike me aparatin stacionar në klinikën speciale. “Ajo ka vlerë më të madhe kur bëhet gjatë çasteve të shqetësimit”, guxova ta sqaroja unë. “Po na lejuat mund ta bëjmë edhe tani.”
“Tani? Këtu?”, pyeti i çuditur ai? “Po, me një aparat portativ që e kemi poshtë.” Ai pa nga Nexhmija dhe e neutralizoi reagimin me shumë të ngjarë refuzues të saj. Ajo dukej e bindur që po bënim një procedurë munduese dhe të panevojshme për të. (Në fakt ajo mund të rezultonte edhe si e tillë). Por pacienti na inkurajoi:
“Mos t’ia prishim doktorit, Nexhmije, — i tha asaj, — se është i ri dhe e ka sefte”. Nexhmija heshti e pakënaqur, besoj dhe e penduar që më kishte thirrur. Fahriu zbriti në katin përdhes dhe solli aparatin e elektrokardiogramit. Për dreq, ne të dy me Fahriun patëm ca vështirësi dhe peripeci teknike deri sa e regjistruam, sepse në atë dhomë nuk bëhej dot tokëzimi i duhur për aparatin. Por teksa shihja çfarë po regjistrohej, mendova se kisha ardhur me këmbë ters. Elektrokardiogrami nuk po tregonte “zemër çeliku”. Në të kishte shenja të freskëta të ishemisë.
“Eh, çfarë shkroi?”, pyeti Enveri kurioz. Unë u turbullova. Duhej t’ia thosha të vërtetën? Përndryshe si do t’ia argumentoja masat e duhura të mëtejshme dhe mjekimin? “Ka ca ndryshime që duhen verifikuar me ato të mëparshmet dhe në vazhdim”, i thashë. Ai nuk m’u duk i alarmuar. Vetëm se e mori shiritin prej letre në duar dhe e pa ngultas disa çaste vetë. Po përpiqej të shquante në ato “hieroglifë” të shkruar aty “armikun” e ri, të paparashikuar të fshehur brenda zemrës së tij? I dhamë një tabletë nën gjuhë dhe një tjetër që e piu, sa kohë ishim aty.
Ne u larguam nga dhoma, por jo nga vila e tij. Qëndruam në pritje dhe gatishmëri gjatë gjithë natës në katin përdhes. Unë i trembur lutesha me vete që gjendja të mos përkeqësohej, kurse Nexhmija nuk e besoi ose nuk ia donte zemra ta besonte që Enverit sëmundja i kishte prekur zemrën. Prandaj duke na përcjellë jashtë derës, ajo na porositi: “Mos bëni alarm”. Në fakt Enveri duhej vendosur që atë natë në monitorim të vazhdueshëm, sepse situata mund të keqësohej në mënyrë të papritur.
Sidoqoftë teknikisht kjo ishte e pamundur. Mungonin mjetet, sepse kjo situatë nuk ishte parashikuar. I ndodhur larg Tiranës dhe pa monitorim të pandërprerë të situatës në zemër, jeta e Enverit atë natë ishte seriozisht e rrezikuar, ose e thënë më saktë ishte në dorë të fatit. Nuk kishim monitor, as defribilator, as ambu, as oksigjen, as specialist kardiolog, as reanimator për të ndërhyrë dhe shpëtuar jetën në rast infarkti të gjerë. Nexhmija nuk ishte koshiente për rrezikshmërinë e gjendjes, as për mangësitë që pengonin jetëshpëtimin. Zemra nuk kishte qenë në axhendën e shqetësimeve madhore shëndetësore të tij. Prandaj ajo na tha të mos alarmonim askënd nga udhëheqja gjatë natës, as të sillnim me urgjencë mjekë të tjerë.
Atë natë, i shokuar mallkova veten që isha bërë mjek, si edhe fatin që më kishte sjellë në një terren të tillë të minuar, me aq shumë rreziqe. Por Sulo Gradeci që ishte zgjuar dhe po na priste i shqetësuar në katin përdhes të vilës më tha: “Nëse të duhen mjekë të tjerë më thuaj që t’i sjell të gjithë gjatë natës menjëherë”. Kërkova së paku profesor Fejzi Hoxhën që i kishte ndjekur prej shumë vitesh problemet shëndetësore të Enverit, si dhe dr. Nikolla Shurbanin, shefi i kardiologjisë, që pati qenë përpara meje gjatë disa viteve mjek personal i Enverit. Suloja nisi me urgjencë menjëherë shoferin Myslym Kore dhe rreth dy orë më pas të dy kolegët e shquar ishin prezentë me mua aty. U ndjeva i lehtësuar. Ata i vlerësuan po ashtu ndryshimet në elektrokardiogram dhe mjaft të rrezikshëm episodin e ishemisë së freskët.
Atë natë nuk fjetëm. Pati një shtrëngatë shiu me rrebesh, me vetëtima dhe bubullima që gjëmonin frikshëm. E gdhimë me zemër të ngrirë në pritje atë natë së bashku me profesorët e mi, të pafuqishëm të bënim më shumë. Të nesërmen në mëngjes pacienti u zgjua pa shqetësime. Ai pranoi ta vizitonim të tre së bashku. Elektrokardiogrami i mëngjesit ishte disi më mirë. Së paku nuk tregonte përkeqësim. Enveri filloi që atë ditë mjekimin me koronarodilatator të asaj kohe.
Disa ditë pas atij episodi Enveri u shpërngul për pushime nga Durrësi për në malin e Dajtit. Një ndalesë disaorëshe në Tiranë e shfrytëzuam për t’i vlerësuar gjendjen e zemrës dhe elektrokardiogramet me dr. Ylli Popën, dr. Hajro Shytin dhe dr. Ahmet Kamberin, të tre kardiologë, të cilët e vlerësuan shqetësuese situatën e re të krijuar. Në Dajt, si mjek e shoqërova vetëm unë. Nuk pati kriza të reja. Kriza serioze në të cilën u evidentua infarkti i miokardit ndodhi me 16 tetor 1973, pasi ai priti një numër të madh personash që e uruan me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij.