Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama janë përfshirë në një përplasje publike me akuza të ndërsjella mes tyre, në një konflikt politik që po mbizotëron vendin në këto ditë të nxehta vere.
Teksa analistët e shohin të largët një zgjidhje politike, gazeta “Dita” thotë se është zhvilluar një takim sekret mes Ramës dhe Metës në Gjirin e Lalzit, larg syrit të mediave dhe njerëzve.
Ashtu si në 2013, kur dy liderët e së majtës, njëri në krye të PS-së dhe tjetri në drejtimin e LSI ishin në një situatë tensionesh dhe akuzash të ndërsjellëta, ashtu sikundër edhe sot, ata gjetën mundësinë, kohën dhe ndërmjetësit, për t’u ulur, darkuar në atë që më pas u quajt si “darka e ngjalave”, dhe arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse, edhe pse LSI ishte në një koalicion me PD-në dhe për 4 vite kishte bashkëqeverisur vendin.
Ilir Meta u shfaq në Lalz pak ditë më parë në krah në Nard Kokës, të njëjtit personazh që 6 vjet më parë i siguroi takimin me Ramën, ose anasjelltas, çoi Kryeministrin aktual në vilën e ish-kreut aktual, ku edhe u shtrua darka e “famshme”.
Edhe pak ditë më parë duket se është përsëritur e njëjta skenë. Meta u shfaq me Kokën, ndërsa në mbrëmje, makina e Kreut të Qeverisë, me truprojën më të besuar, ndaloi diku pranë vilës së Presidentit aktual, raporton Dita.
Sikundër raportohet shoferi dhe truproja qëndruan në një lokal pranë bregut, në kompleksin luksoz, ku ndodhen vilat e shumë prej politikanëve dhe qeveritarëve.
Media raporton se takimi mes tyre ka ndodhur pikërisht në të njëjtën vilë ku dy liderët e dikurshëm të së majtës, sot drejtues të institucioneve më të rëndësishme të shtetit, u dakordësuan midis tyre. Nuk dihet nëse ka qenë një takim kokë më kokë apo me ndërmjetësim, por sikundër thuhet nga momenti i këtij takimi, “gjakrat” janë ulur dhe palët kanë shmangur përdorimin e retorikave të forta.
Duket se rezultat i saj është edhe lëvizja surprizë e Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Kryeministrit, i cili zellin që shfaqi për largimin e tij nga zyra Presidenciale e zëvendësoi me një kërkesë drejtuar Komisionit të Venecias që i kërkon interpretim.
Dhe derisa Venecia të sjellë një përgjigje, ndoshta mazhoranca e drejtuar nga Rama ka ndryshuar mendim.
Nuk dihet se kush ka kërkuar apo ka hedhur hapin e parë për këtë takim larg syrit të publikut dhe mediave mes Kryeministrit dhe Presidentit, por ky është takim i dytë jo-publik mes Ramës dhe Metës, në një kohë kur publikisht të dy janë pozicionuar si kundërshtarët më të mëdhenj mes tyre.
