Duke postuar videon e momentit të votimit tri vite më parë të reformës në drejtësi, kreu i shtetit Ilir Meta shprehet krenar që në detyrën e Kryetarit të Kuvendit në atë kohë këmbënguli për miratimin me konsesus të plotë të kësaj reforme.
Meta ka falenderuar në veçanti Komisionin e Venecias, por asnjë nga ambasadorët e kohës Donald Lu i SHBA-së dhe Romana Vlahutin e BE-së, të cilët ishin mjaft të flaktë në mbrojtjen e reformës në drejtësi.
“Sot kam një falënderim të veçantë për Komisionin e Venecias, për të gjithë ekspertizën e vyer e të pakursyer, që na dha në atë proces. I lumtur që i qëndrova besnik rekomandimeve të këtij Komisioni për reformën kushtetuese, që garantonin pavarësi dhe paanshmëri të drejtësisë nga politika. Një falënderim të veçantë kam sot edhe për Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjen e Zbatimit të Ligjit në Departamentin Amerikan të Shtetit të asaj kohe, z.William Brownfield, për mbështetjen dhe inkurajimin që më dha, që Reforma në Drejtësi të ishte gjithpërfshirëse dhe të miratohej me konsensus të plotë në Kuvendin e Shqipërisë”, thotë Meta.
Ai shton më tej se vetëm falë këtij konsensusi prej 140 votash Shqipëria gëzon ende rekomandimin për çeljen e negociatave, por sipas tij kjo do të nddohe vetëm kur shqiptarët të ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira, gjithëpërfshirëse dhe të gjithëpranuara.
“Fillimi i negociatave do të jetë i mundur kur zbatimi i Reformës në Drejtësi të shkojë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së interesit publik, dhe garantimit të të drejtave demokratike dhe lirive themelore të qytetarëve të Shqipërisë”, thotë Meta.
