Kur lind fëmija i parë, bashkë me të lind dhe mëmësia, si një eksperiencë e re e paprovuar më parë. Por nuk mëson vetëm fëmija, edhe gruaja mëson përmes ndjesinë e nënës se si të rrisë sa më mirë fëmijën. Nënat e reja vazhdimisht pyesnin për mënyrën si duhet të ushqehet një bebe, si duhet larë por edhe si duhet të kujdesen për të vegjlit e tyre. Kohët ndryshojnë dhe ndonjëherë këshillat e më të vjetërve u shtojnë më shumë dyshimet.
Nisur nga kjo disa nëna shqiptare që jetojnë në vende të ndryshme të botës kanë vendosur të shkëmbejnë eksperienca dhe të japin ide përmes një grupi të krijuar në Instagram. “Best Babies Team” përbëhet për momentin nga 18 nëna të reja shqiptare që jetojnë në vende të ndryshme të botës si : Angli, Itali, Slloveni Maqedoni dhe Shqipëri.
“Këshillohemi çdo ditë me njëra -tjetrën, ndajmë jo vetëm eksperiencat e bebave, por edhe ndonjë eksperiencë personale”, tregon për tirananews.al një prej nënave të faqes.
Ndërkohë që fëmijët rriten ato kanë nevojë për aktivitete dhe lojra dhe kjo solli një ide tjetër për nënat. Vendosën që të bëjnë foto të bebave të tyre me të njëjtën tematikë, pra të 18 vogëlushët do të bënin të njëjtat foto dhe më pas këto foto shpërndaheshin në rrjetet e tyre sociale Instagram. Çdo fillim muaji nënat vendosin një tematikë, një ditë në piknik, fluturim me tollumbace apo një ditë në servisin e bebave. Kjo ishte sa argëtuese aq dhe e bukur, por kishte edhe problem.
“Në një grup prej 18 nënash të ketë përplasje idesh, mendimesh është mëse normale” shprehet një tjetër nënë e grupit, por kemi gjetur gjithmonë një mënyrë ose një tjetër për t’u kuptuar pavarsisht se dikush nuk kanë qenë dhe aq dakort.
Kështu nënat në këtë mënyrë krijojnë kujtimet më të bukura dhe po e shijojnë në maksimum mëmësinë. Po ju lëmë dhe ju të shijoni disa foto të këtyre engjëjve të bukur
