Qeveria ka bërë disa ndryshime në tekstet shkollore falas, duke vendosur që klasat e para do t’i kenë çdo vit tekste të reja, ndërsa këtë vit në këtë gamë hyn dhe klasa e pestë.
“Nxënësve që ndjekin arsimin fillor në klasën e parë në institucionet arsimore publike, u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. Nxënësve që ndjekin arsimin fillor në institucionet arsimore publike nga klasa e dytë deri në klasën e pestë, u jepen tekstet shkollore në përdorim falas”, thuhet në vendimin e të mërkurës së qeverisë.
Ndonëse vendimi ka dalë me pak ditë vonesë, parashikohet që lista e nxënësve që duhet të marrin tekste falas të përllogaritet brenda muajit korrik me qëllim që deri në fundin e muajit gusht, periudhë kur nis ndarja e librave, ato të jenë gati për nxënësit.
“Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar nga Ministria përgjegjëse për Arsimin. Institucionet arsimore publike, si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, përcaktohet në vendim.
Vitin e shkuar, klasa e pestë ishte e vetmja që mësonte me kurrikula të vjetra, çka u pa si alibi nga ana e qeverisë për të mos mundësuar tekste falas për gjithë ciklin fillor.
Kujtojmë që në fund të çdo viti është një procedurë shumë e gjatë për kthimin e tyre, që nga fshirja me gomë e librave deri te dorëzimi në komisionin shkollor, çka ka ngritur pakënaqësi te shumë prindër.
