Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi është takuar me task force në Himarë për zaptimin e plazheve dhe ndotjes akustike ku tha se nuk do të ketë asnjë tolerim për ata që shkelin ligjin dhe se task force duhet të reagojë ndaj denoncimeve të pushuesve.
Një tjetër shqetësim për Çuçin është dhe ngritja e kampingjeve në plazh. Po kështu ai tha se duhen monitoruar në mënyrë rigoroze edhe subjektet që kanë marrë leje për shfrytëzimin e plazheve.
“Të gjithë ata që kanë dalë nga leja. Nuk ka as paralajmërim fare. I merret leja dhe nuk i jepet më. Ka filluar një fenomen i ri që nuk e kemi pasur më parë. Ngritja e kampingjeve në plazh. Është gjëja që në mënyrë kategorike duhet ndaluar. Për kampingje ka vende të caktuara sepse duhet të ketë disa kushte minimale”, tha ministri Çuçi.
Një tjetër çështje që ka dalë si shqetësim nga pushuesit në zonën e Himarës është niveli i lartë i zhurmës.
“Edhe gjatë ditës duhet bërë një lloj disiplinimi se është ndotje e tmerrshme akustike. Ka norma edhe gjatë ditës se sa duhet të jetë zhurma. Reagimi ndaj telefonatave të qytetarëve duhet të jetë i padiskutueshëm”, u shpreh Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Për sa i përket sigurisë ushqimore, ministri Çuçi kërkoi nga inspektorët e AKU-së që t’i përmbahen planeve të tyre të inspektimit, të mos abuzojnë me detyrën duke rënduar padrejtësisht operatorët e biznesit ushqimor, njëkohësisht të mos tolerojnë askënd që rrezikon shëndetin e konsumatorëve.
