Menjëherë pas miratimit në këshillin bashkiak për zonat e parkimit që do të jenë me pagesë në qytetin e Korçës ka nisur puna për vijëzimin e tyre.
Fillimisht në qendër të qytetit duke përcaktuar se ku do të jenë vendet ku drejtuesit e mjeteve duhet të paguajnë për çdo orë qëndrimi.
Parkimet me pagesë do të administrohen nga Bashkia e Korçës pas përfundimit të kontratës me subjektin privat, i cili i ka menaxhuar për disa vite.
Drejtoria e kontrollit të territorit gjatë kësaj periudhe ka evidentuar edhe zonat e parkimit me pagesë që nuk kanë qenë fitimprurëse duke i hequr nga harta e zonave të rrugëve me pagesë. Bëhet fjalë për pjesën fundore të rrugës Kiço Greço, për një pjesë të rrugës para drejtorisë së tatimeve si dhe disa vende para ish-kinemasë.
Sipas të dhënave nga Bashkia e Korçës nga 362 vende parkimi me pagesë tashmë do të jenë 288 të tilla. Zonat që do të jenë vend për parkim me pagesë janë 51 vende parkimi në zonën e teatrit dhe në rrugën “Edith Durham”, 82 vende parkimi në bulevardin Republika, 62 vende parkimi në bulevardin Fan Noli dhe 86 vende parkimi tek zona e Pazarit të Vjetër.
Koha e funksionimit të parkimit me pagesë do të jetë 8 orë në ditë ndërsa në ditët e festave zyrtare nuk do të aplikohet parkimi me pagesë.
Javën e ardhshme parashikohet të gjejë zbatim ky vendim i cili do të administrohet nga drejtoria e planifikimit dhe kontrollit të territorit, ndërmarrjeve publike si dhe policia bashkiake.
