Zv/kryeministri i Shqipërisë Erion Braçe u paraqit para mediave në lidhje me aksionin e “Antiinformalitetit” dhe ndryshimeve të reja në Kodin Penal. Numri i 2 qeverisë bëri me dije se zyrtarë të Drejtorisë së Tatimeve janë kërcënuar nga administratorët dhe pronarët e subjekteve gjatë aksionit për parandalimin e informalitetit.
I pyetur nëse është kërcënuar personalisht nga këta persona, Braçe i shpërfilli mesazhe të tilla.
“Jemi të detyruar të respektojmë këtë ligj. Ndryshimet e miratuara në Kodin Penal dhe të kthyera pas nga Presidenti shtojnë masat ndaj kërcënuesve. Këta punonjës duhet të jenë të mbrojtur, por mbrojtësi më i fortë është ligji. Ligjit të ri do t’i rikthehemi në shtator.
Para disa vitesh, subjektet në Veri janë bllokuar nga FNSH-ja. Imagjinoni se çfarë mjetesh kanë përdorur. Këtë herë janë bllokuar nga vetëm 3 inspektorë. Operacioni (antiinformalitet) është zhvilluar pas orës 12 të natës, bile nga ora 1:00 deri në 2:00-3:00 të mëngjesit. Kam dëgjuar kërcënime nga ata njerëz ndaj drejtuesve.
Organet e Policisë së Shtetit kanë vijuar menjëherë më detyrën.
A kam marrë kërcënime? Po jua them, quajeni si të doni: Nuk dëgjoj nga ky vesh. Mos t’i bien telefonit, as të më shkruajnë në rrjete sociale, sepse nuk më bën përshtypje. Kush shan, merr mbrapsht mënyrën si adresohet.
Ndryshimet në Kodin Penal do të shqyrtohen në Kuvendin e Shqipërisë sipas procedurës”, deklaroi zv/kryeministri Braçe.
Në lidhje me heqjen e vizës së ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako nga SHBA për akuza të kryerjes së korrupsionit, Braçe shtoi se nuk mund të ndërhyhet në proçese ku ka akuza konkrete. Sipas tij, duhet të dërgohen para drejtësisë dhe figura të larta politke, ku përmendi dhe emrin e kreut të opozitës Lulzim Basha.
“Duhet të përsëris të njëjtën përgjigje: çdo akuzë e ngritur ndaj zotit Dako, apo kryetarëve të partive siç është njëri i opozitës duhet të hetohet sipas ligjit. Nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në mes të një proçesi që ka akuza konkrete. Duhet të përballen personalisht. Iku kohae imunitetit. Janë grabitur miliona euro dhe nuk ka patur ndëshkueshmëri”, përfundoi Braçe.
