Ngritja e memorialit turk ka sjellë reagime të shumta, ndërsa për herë të parë ka ardhur një qëndrim edhe nga Partia Demokratike. Gerti Bogdani, sekretar i marrëdhënieve me jashtë në PD e cilëson si cenim të sovranitetit vendosjen e memorialit, por ‘harron’ që në ceremoninë e vendosjes së pllakatës te Kodrat e Liqenit ishte Kreshnik Çollaku, ish-kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në bashkinë e Tiranës, ndërkohë që ka mbajtur edhe postin e shefit të departamentit të marrëdhënieve me jashtë në PD. Megjithatë për Bogdanin është gafë e rëndë diplomatike.
“Memoriali i inauguruar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës edhe me prezencën e ndonjë përfaqësuesi tjetër politik, është thjeshtë një gafë e rëndë diplomatike dhe cenim i sovranitetit kombëtar! Nderimi i të rënëve për mbrojtjen e demokracisë së një vendi duhet të ngrihet në atë vend, jo gjetiu. Ndaj, është gabim ngritja e tij në Tiranë, sepse nuk tregon nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve, por vasalitetin mes tyre.
Për këtë gafë të Kryetarit të Bashkisë duhej të ishte shprehur menjëherë ministri ynë i jashtëm z.Rama, por duket që gojën ia kanë kyçur me kohë. Ose, duhej të ishte shprehur së paku ministri i jashtëm në detyrë, i cili edhe pse mezi i reciton i ka për zemër Rilindasit, por edhe ky duket se nga hera e ka ngrenë lugën e çorbës gatuar me miell Serbie”, thekson Bogdani.