Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
OPED

Preç Zogaj/ Pse Rama katapulton individë me rekorde kriminale në poste të larta

12:59 / August 25, 20199 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
prec zogaj
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp


Formulari  që duhet të plotësojë  çdo kandidat për deputet apo për  kryetar bashkie  në  zbatim të ligjit ‘Për garantimin e  integritetit të personave  që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë   funksione publike”, i quajtur ndryshe për lehtësi komunikimi, “Ligji i dekriminalizmit”, nuk të lë të harrosh nëse je përfshirë në shkelje  a vepra penale që janë subjekt i ligjit në fjalë. Formulari të pyet me hollësi,  të kujton.  Kush nuk  tregon të vërtetën  ose është i paqartë për atë që ka bërë në raport  me ligjin,  ose e fsheh me  vetëdije  atë, mendje lehtësisht, duke shkuar me  mendimin  se nuk do t’ia zbulojnë apo, më keq, duke hamendësuar, për të mos thënë duke qenë i sigurt,  se shefat e dinë dhe  madje  prandaj edhe i kanë venë gishtin për ta kandiduar.

Zakonisht shefat e dinë deri  në momentin  kur nuk e kanë marrë vesh të tjerët. Më ta marrë vesh opozita apo media, shefat nuk e dinë më se ti  ke bërë burg apo je dëbuar nga shteti fqinj, madje ndihen të prerë në besë që nuk  je rrefyer para tyre.  Kjo është historia e pambarimtë e përdorimit të ish dënuarve nga  politika, por edhe  politikës  nga këta ish të dënuar, të cilët e marrin shpërblimin, pavarësisht se si rregull  fundi vjen i hidhur për ta, më i hidhur se sa po të kishin vijuar jetën normale  si të rehabilituar duke mos hyrë ku rrafsha mos u vrafsha në tokën e minuar të politikës e duke mos u  bërë vegla të politikanëve që shkojnë e vinë.  Shembuj të kësaj historie tashmë ka shumë.  Më i  freskëti  është rasti i  ish kandidatit të PS-së për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetrit.

Derisa Prokuroria të bëjë  verifikimet e nisura  dhe vetë zoti Pjetri  të vendosë të flasë me zemër në dorë duhet të presim për të mësuar  pse nuk e shkroi ai në formular të vërtetën e  arrestimit, dënimit dhe dëbimit të tij nga Italia në vitin 2003 kur ishte student , siç  thotë vetë. Pse nuk e refuzoi kandidimin nëse e dinte se  ligji nuk e lejonte? Apo kishte hyrë tashmë në një cikël moslejimesh  me detyrat që kishte kryer e kryente, që ishin gjithashtu të papajtueshme me ligjin e dekriminalizmit, pra vendosi të shkonte përpara si në një lojë bixhozi  për t’i humbur ose fituar të gjitha?

Është e  vërtetë se sa i takon burimit të informacionit ligji i dekriminalizimit mbështetet pikësëpari dhe kryesisht në vet deklarimin e kandidatit. Është e vërtetë se instrumentet e verifikimit  zyrtar  të të dhënave të formularëve lënë për të dëshiruar.  Është e  vërtetë  edhe tjetra se ka jo pak  të zgjedhur e të emëruar që duhej t’i ndalonte ligji, por ia kanë hedhur  edhe pas miratimit të ligjit. Janë shembuj që reklamojnë “ vdekjen” e ligjit dhe nxisin vetvetiu kandidime  të paligjshme “guximtarësh” e naivësh. Këta harrojnë  dy gjera: e para, shokët e tyre të dënimeve  dhe të njohurit e tyre tregojnë  atje ku duhet, në selitë e partive kundërshtare , në adresat e  drejtuesve partiake dhe qeveritarë, nganjëherë edhe në  ndonjë institucion.

E dyta, kur “të  mëdhenjtë”  i lenë të  qetë, nuk se e bëjnë sepse nuk dinë gjë, por nuk kanë ndonjë interes t’i godasin. Në momentin kur partisë iks apo politikanit ypsilon u intereson  ta plasin “ sekretin” që mund ta ketë mbajtur për një kohë të gjatë në sirtar, e  plasin  me gjithë forcë, pa mëshirë.

Mbështetur në  denoncimin e  pa përgënjeshtruar të PD-së, është  shumë idiote kjo që zoti Pjetri ka pranuar të kandidojë në kushtet e mospërmbushjes së kërkesave të ligjit. Përtej fatit personal, rasti  i tij dhe raste të tjera të ngjashme nxisin  ndërkaq  reflektime  në  rrafshin ligjor, politik dhe etik për gjithë kuadrin  ku  godet ligji i dekriminalizimit.

Në rrafshin ligjor, zbatimi i ligjit nuk mund t’i lihet spontanitetit, voluntarizmit politik,  situatës politike. Një  ligj më mirë të ndryshohet se sa të mos zbatohet. Thënë ndryshe, nuk duhet pritur që ata që fshehin të  vërtetën  t’i kapë  opozita kur janë të qeverisë, siç ka ndodhur shpesh apo anasjelltas. Opozita është në misionin e saj,  por gënjeshtarët duhet ti kapë ligji. Ka plot indicie edhe në formularët e KQZ-së që ushqejnë dyshime të arsyeshme për të nisur një verifikim.   Duhet ndërtuar një mekanizëm që  funksionon  me një lloj automatizmi. Kjo është e mundur dhe jo aq e vështirë  po të mbajnë parasysh faktin se nuk bëhet fjalë për të zbuluar krime të padënuara, por  individë  të gjykuar ë në procese të hapura e të dokumentuara.

Në rrafshin politik, rasti “Pjetri” dhe rastet e ngjashme na kujtojnë edhe njëherë  se në themel të  përzgjedhjes  së personave  të papërshtatshëm  që ligji i ndalon të kandidojnë është arbitrariteti i liderëve, në rastin konkret i kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Katapultimi i  individëve  të tillë, në shpërfillje të plotë të anëtarësisë, forumeve partiake, kontributeve , meritave  e tjerë  ka një probabilitet të lartë të jetë  me virus ; katapultimi është  mbrojtës  dhe promovues  i një gjëje të panatyrshme, vektori i së cilës shtrihet nga gabimi njerëzor te pazari i ndyrë. Po të ndiqej rruga normale e garës dhe forumeve të hapura  në përzgjedhjen apo caktimin e kandidatëve  dhe po të ekzistonte   vullneti i mirë politik i gjithë liderëve  partiakë nuk do të kishte qenë nevoja e  ligjit antikushtetues të dekriminalizimit.

Ligj i cili, duke dashur t’u bëhet pengesë  disa ish të dënuarve ambiciozë të joshur  nga Rama  në këmbim të shërbimeve politike ndaj tij, ku dallon  kapja e zgjedhjeve, ka lënduar qindra e në mos mijëra të tjerë që  në  rrethana   të caktuara  janë dënuar  si trafikantë nga gjykatat e vendeve europiane, i kanë kryer dënimet dhe i janë kthyer punës e jetës së zakonshme  si qytetarë e familjarë korrektë. Ligji  në atdheun e  tyre vazhdon ti konsiderojë  kriminelë en bloc, por ata s’kanë përse të mos e marrin sekush veç  për vete.

Dhe ja ku vinë te aspekti etik i çështjes. Subjektet e ligjit të dekriminalizimit janë individë që  i kanë kryer dënimet, ata janë të rehabilituar në raport me çfarë kanë bërë, ata nuk mund të mbahen të dënuar më shumë  se sa i ka dënuar gjykata; si ish të dënuar ata  janë më të pastruar para ligjit  se ata të cilëve nuk u janë zbuluar, hetuar apo gjykuar ende shkeljet e ligjit dhe krimet; ish të dënuarit  rikonsiderohen  kriminelë  vetëm nëse përsërisin një vepër penale. Të gjitha këto sentenca  janë  gdhendur  në filozofinë e së drejtës. Dihet se  ish të dënuarit  kanë vështirësi të rinisen, edhe paragjykohen aty këtu, por shoqëritë e emancipuara  në tërësi kanë krijuar një kulturë  të tërë të ndihmës dhe mbështetjes për këtë kategori  me qëllim që ata të integrohen në shoqëri, të mos bëhen recidivistë, e tjerë.

Të gjitha këto vlejnë dyfish për shqiptarët  të cilët atdheu i tyre i hodhi masivisht  nëpër botë si popull pa letra menjëherë pas rënies së komunizmit,   pasi nuk u siguroi dot punë, siguri për jetën dhe të ardhmen, një histori që vazhdon sot e kësaj dite. Është një gjë e jashtëzakonshme  që  nga kjo masë e madhe njerëzish “ jetimë”  sa i takon  përgjegjësisë që ka një  vendi për bijtë e vet emigrantë   shumica dërmuese janë  integruar  me dinjitet  që në krye të  herës dhe në vazhdimësi  në  vendet  pritëse duke mbajtur  lidhjet e tyre të brendshme me  atdheun, traditën, familjet, qytetërimin.

Por  ka pasur ndërkaq plot të rinj, madje  edhe adoleshentë e fëmijë që kanë rënë diku në rrjetat e malavitës, diku të joshjeve për të fituar në rrugë të shpejtë e të paligjshme. Mjaft  prej tyre janë dënuar edhe për gjëra të vogla, në procese gjyqësore të dyshimta, ku lakmisë së avokatëve për t’i  zhvatur u përgjigjej jo rrallë paragjykimi  për të huajt  shqiptarë në aulat e drejtësisë. Ata  janë pakicë në raport me shumicën që iu vu punës së ndershme. Ndërkaq brenda kësaj pakice, kriminelët  recidivistë që e meritojnë  këtë damkë  kanë  qenë dhe janë akoma më pak.

Edi Rama ka bërë një  gjë të rëndë duke i promovuar në politikë disa prej tyre jo si të rehabilituar, por për atë që ata kishin qenë para se të dënoheshin. Çfarë ka ndodhur më pas e ka zanafillën  këtu. Kam  shkruar shpesh  dhe gjerë e gjatë për këtë  temë. Ajo që dua të them sot është se nuk  mund  futen në një thes kriminelët recidivistë me  individë të rehabilituar që  janë përpjekur e përpiqen të rifitojnë me punë të ndershme  respektin në familje dhe shoqëri ; nuk mund të ketë  të  damkosur  të përjetshëm me shenjën e grupit, kjo është çnjerëzore. Duhet t’u vëmë gjërave emrin që kanë. Shqiptarët që kanë  kryer një dënim  e kanë shlyer fajin.  Ligji shqiptar i ka ndaluar en bloc të merren me politikë dhe të emërohen në poste publike.

Por  ata nuk janë kriminelë.  As  të momentit, as të përjetshëm siç i trajton pakujdesshëm retorika politike. Nuk janë as njëlloj dhe  këtu ligjvënësit kanë për detyrë  të  mbledhin të dhëna të studiuara  dhe të reflektojnë  me një vizion të  qytetëruar që jo vetëm e njeh, por edhe promovon të drejtën e çdo njeriu për t’u korrigjuar./Gazeta Liberale

individë katapulton Preç Zogaj Rama
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Turpi i një prokurorie, nga 45 vite burg për luftëtarët e lirisë

20:55 / February 9, 2026

Pak para nisjes për në Bruksel, Rama mbledh grupin parlamentar të PS

10:56 / February 9, 2026

Rama në Bruksel, do takojë presidentin e Këshillit Europian Antonio Costa

10:37 / February 9, 2026

Kursi 1 me 100 për Euron mund të zbusë jo pak probleme

16:57 / February 8, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.