Bashkia Kukës ka mohuar akuzat se po vriten qentë endacakë në këtë qytet. Burime zyrtare pranë bashkisë verilindore pohuan se mjediset publike janë të mbipopullura nga këto kafshë, por specialistët dhe punojësit e bashkisë po i trajtojnë në një qendër të posaçme. Në një reagim zyrtarë të Bashkisë Kukës thuhet:
Deklarata e Bashkisë Kukës
Orët e fundit, një video po qarkullon në rrjetet sociale, sikur qentë endacakë në Kukës po helmohen dhe po hidhen rrugëve!
Bashkia e Kukësit shpreh me përgjegjshmëri, faktin, se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Të gjithë banorët e Kukësit janë dëshmitarë, se qentë endacakë po kapen në çdo rrugë, lagje apo shesh, dhe po grumbullohen në një pikë të posaçme, ndërsa ekspertët veterinerë të bashkisë po i trajtojnë ata, sipas ligjit.
Bashkia e Kukësit i kërkon qytetarëve, që të jenë bashkëpunues edhe për evitimin e endjes së kafshëve nëpër rrugët e qytetit, ndërsa i kërkon çdo organi mediatik apo rrjeti social, që të mos abuzojë me lirinë e të shprehurit, por të pasqyrojë realitetin.
Për këtë realitet, i cili po krijohet me shumë mund, përkushtim, sakrificë dhe punë të përditshme, po punohet çdo çast!
Faleminderit, dhe bashkarisht do i’a dalim për një Kukës të pastër dhe që respekton të drejtat e njerëzve, por edhe kafshëve!
