Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta është mbledhur për të vijuar me planin e veprimit, ndërkohë që pritet të bëhet e ditur se kur do të thirret kreu i shtetit.
Kreu i komisionit Ulsi Manja bëri të ditur se të shtatë institucionet që u është kërkuar informacion janë përgjigjur, ku përgjigja e fundit është ajo e Presidencës më 2 gusht 2019.
“U jemi drejtuar me shkresë për të sjellë në sekretarinë e komisionit dokumentacionin e duhur qendrës së botimeve zyrtare, drejtorisë së policisë së Shtetit, institucionit të Presidencës, Autoritetit të Medias Audiovizive, Kolegjit Zgjedhor pranë gjykatës së Apelit, KQZ dhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Jemi vënë në dijeni nga sekretariati teknik që të shtatë institucionet që ne u kemi kërkuar informacion lidhur me objektin e hetimit të komisionit hetimor kanë sjellë përgjigje dhe përgjigja e fundit është përgjigja që ka sjellë institucioni i presidencës më 2 gusht 2019″, tha Manja.
Ai prezantoi edhe hapat procedural që do të ndiqen deri në përfundim të hetimit, por që mund të ndryshojë, duke iu referuar dhe opinionit të Komisionit të Venecias:
- Seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, në zbatim të nenit 112, pika 3 të Rregullores së Kuvendit.
- Administrimi dhe shqyrtimi i informacioneve, të dhënave, raporteve të marra nga institucionet lidhur me objektin e hetimit.
- Administrimi i raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut “Për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për nisjen e
procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta”, datë 26.06.2019. - Administrimi dhe shqyrtimi i Opinionit të Komisionit të Venecias.
- Diskutim në lidhje me gjetjet e Komisionit Hetimor sipas objektit të hetimit.
- Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.
- Paraqitja në Kuvend i raportit përfundimtar.
Ndërkohë, deputeti i opozitës, Alban Zeneli kërkoi që të pritej ngritja e Gjykatës Kushtetuese. Por kryetari Manja tha se kjo nuk e pengon Kuvendin të bëjë detyrën që i është ngarkuar.
