Ish-kryediplomati Ditmir Bushati foli me nota kritike për realitetin social, politik dhe ekonomik në vend. Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Bushati vuri në dukje se pasuria në vend është përqendruar në pak duar dhe te qytetarët vihet re mungesa e shpresës.
“Është fakt që shqiptarët vijojnë e lenë vendin e tyre. S’bie dakord me kolegët e opozitës që tentojnë ta lidhin me qeverinë tonë, ka qenë një trend i pandalshëm ndaj 30 viteve të fundit. Jemi duke përjetuar një krizë vlerash, që vjen nga padrejtësia, aksesi i pabarabartë për shpërndarjen e të mirave, nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe pafytyrësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash. Kapitalizmi qeveritar që kemi ndërtuar këto 30 vite s’premton për të bërë një hap gjigand përpara. Na takon që sot të biem bashkë dakord dhe të përcaktojmë cilat do jenë qëllimet e kombit për 10,20,50 vitet e ardhshme. Mund të marr shembullin e Izraelit”, tha Bushati. “Na takojmë ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm, ta brandojmë këtë vend, për çfarë duhet të njihemi. Është një çështje më shqetëson: përqendrimi i të ardhurave për një grusht njerëzish, më shqetësojnë zgjidhjet e lehta, më shqetëson që vijojmë të eksportojmë kapital njerëzor, më shqetëson që edhe pse duam të hapim bisedimet s’kemi 2, 5, 10 njerëz nga diaspora që të vijnë te ne për ta demokratizuar Shqipërinë”, u shpreh ish-ministri i Jashtëm.