Fundjava me diell do t`i lërë vendin ditëve me reshje dhe temperatura të ulta. Meteorologët thonë se problem do të jetë era e fortë ndërsa pas së martës temperaturat do të pësojnë rritje graduale dhe do të kapin vlerën e 30 gradëve.
Ditët e ngrohta dhe me diell do të zgjasin deri të dielën. Java e ardhshme do të nis me temperatura të ulta dhe rebeshe. Meteorologia, Lajda Porja thotë se problem do të jetë edhe era e fortë.
“Duke filluar nga java tjetër ne presim të kemi sërish zhvilli të vranësirave ditën e hënë sidomos në orët e pasdites ku do të ketë reshje shiu. Shirat do të jenë sërish në formë rrebeshesh, shtrëngatash, hërë pas herë të shoqëruara edhe me stuhi afatshkurtra ere”, – u shpreh sinoptikanja Lajda Porja.
Por kjo situatë do të jetë vetëm në fillim të javës. Pas të martës moti do të kthjellohet dhe temperaturat do të pësojnë rritje graduale.
“Që nga dita e mërkurë dhe deri në fund të muajit ne presim të kemi sërish përmirësim të kushteve atmosferike. Do kemi një mot të kthjellët me vranësira të shpeshta në territor. Në muajin shtator duke përjashtuar këtë episod 3-4 ditë që do të jetë me vlera tipike të vjeshtës të gjitha ditët e tij ka shënuar temperatura të larta deri në 35 gradë”, – deklaroi sinoptikanja.
Deri në fund të muajit, shtatori do të jetë i nxehtë dhe me temperatura që do të arrijnë deri në 30 gradë, duke sjellë sërish verën edhe pse zyrtarisht vjeshta ka nisur.