Tërmeti i 21 shtatorit tronditi Tiranën e Durrësin dhe jo vetëm. Shqipëria është një vend me aktivitet sizmik dhe sipas sizmologëve, bazuar në analizën statistikore të katalogut të tërmeteve të ndodhur në Shqipëri dhe në kufij me të, 2020 e në vazhdim pritet të jetë një periudhë më aktive.
Por përtej një tërmeti, ajo që na shqetëson të gjithëve është qëndrueshmëria e ndërtesave në Shqipëri, standardet me të cilat është ndërtuar para dhe pas viteve ’90. Inxhinieri sizmik Llambro Duni shpjegon për tirananews.al se si funksionon aktualisht procesi për dokumentin sizmik për një projekt ndërtimi. Profesori sqaron se tani studimet sizmike të një zone ku do të ndërtohet janë të liberalizuara, dhe është privati që e kryen këtë gjë. Gjithashtu, baza është harta sizmike dhe KTP e ’89, ose Eurokodet*. Përsa i përket këtyre të fundit, që kanë të bëjnë me standardin e studimit sizmik, profesor Duni thotë se është lënë në vullnet të lirë cila prej tyre të zbatohet. Në intervistën më poshtë ai sqaron për opinionin procedurat që ndiqen për një ndërtim, përsa i përket aktivitetit sizmik, por shprehet dhe për një ndryshim të legjislacionit.
Për profesorin ndryshimet duhet të jetë kompleks. “Duhet të kërkohet një kod i ri të cilës i bashkangjitet një hartë e re”, thotë ai, duke u shprehur se nuk mund të ndryshosh hartën kur ke KTP-në, sepse KTP bazohet në atë hartë, dhe kjo nuk ka sens.
Cili është roli i Institutit të Sizmiologjisë aktualisht, në dhënien e një leje ndërtimi për një ndërtesë?
Instituti deri para disa kohësh ka pasur të themi monopolin e kryerjes së këtyre studimeve në terren, gjë që është liberalizuar, tani dhe subjekte të tjera private të cilat kanë aftësinë dhe kompetencë për të realizuar studime të tilla dhe studimi sizmologjik që kryhet për objektet është pjesë e procesit të informacionit të domosdoshëm që duhet të ketë një konstruktor për të realizuar projektin e tij. Detyra kryesore e Institutit aktualisht është të studiojë sizmicitetin dhe të punojë për përgatitjen e hartave sizmike në nivel kombëtar. Kjo është detyra parësore, sepse Instituti nuk i ka kapacitetet për momentin që të ndjekë çdo ndërtim që bëhet në Shqipëri për të bërë studime të cilat janë në fund të fundit, rutinore. Një ekspert i licencuar mund ta realizojë këtë për pak kohë. Kështu që i mbetet institutit që të angazhohet për përgatitjen e nivelit kombëtar të themi të atyre aspekteve që ndihmojnë procesin e projektimit në Shqipëri. Siç e thashë është studimi gjeologjik, sizmologjik, ndërhyjnë të tjerat pastaj, jo ujësjellësi, zjarrfikësja etj., janë një seri dokumentacionesh të cilat i vihen në dispozicion konstruktorit, sepse është ai që harton projektin dhe të themi përfytyron strukturën se si duhet.
Projektet aktuale të ndërtimit në Shqipëri vijojnë të bazohen në KTP e famshme. E para, për të sqaruar për opinionin çfarë janë KTP-të dhe e dyta, ndërtohet akoma me hartën e rrezikut sizmik të ’89. A mendoni se duhet të ndryshojë pas 30 vitesh?
KTP është standardi me të cilat projektojnë strukturat në Shqipëri, është formuluar në vitin 1989, për kohën që u bë rezultoi pas një procesi të gjatë gati 10-vjeçar të studimeve të sizmicitetit dhe mikrozonave sizmikë në shumë qytete të Shqipërisë. Por harta në të cilën bazohet ky standard është 1979. Nga koha kur është formuluar KTP-ja ka kaluar një kohë relativisht e gjatë. Është praktikë botërore që në një periudhë 5 apo 10-vjeçare të themi standardet kombëtare të vendeve të ndryshme i ripunojnë, i rifreskojnë sepse është e domosdoshme që ato arritje të shkencës së sizmologjisë, ndërtimit etj., se janë një sërë faktorësh që ndikojnë në performancën e strukturave ndaj veprimit sizmik, të përmirësohen, të marrin parasysh eksperiencat që rezultojnë nga ndërtimet që shkaktojnë tërmetet në botë dhe këto të reflektohen në projektet e ndërtimi. KTP-ja nuk ka qenë standard i keq për kohën, vepron dhe tani. Por në këtë kuadër siç thashë të përmirësimit të standardeve është mirë që dhe ne ta fillojmë këtë proces. Është folur shumë për përmirësimin e standardeve. Janë bërë përpjekje, kanë filluar me projekte të ndryshme që përkthehen, por standardi Eurokodit nuk është normë ligjore në Shqipëri. Por nga eksperienca jonë dhe e të gjithë kolegëve të mi rezulton që Eurokodet janë standarde më të fuqishme, më të forta, i mbrojnë më mirë strukturat nga tërmeti. Kështu që në performancën e strukturave ka shumë faktorë që ndikojnë, dhe një ndër to është edhe veprimi sizmik, dhe nga kjo pikëpamje nëse ne do të duhet të implementojmë Eurokodet do të duhet që të përgatisim një hartë sizmike të vendit e cila do ta rrisë shumë ngarkesën për strukturat, kjo ndikon në rritjen e sigurisë së një ndërtese.
Po të flasim për ndërtesat e para të pas ’90-tës, kur shpërthyen dhe ndërtimet pa leje. A janë mbështetur këto ndërtesa në hartë sizmiciteti?
Ne rekomandojmë gjithmonë të përdoren parametrat e Eurokodit për ndërtim, të jemi të qartë për këtë. Por Eurokodi siç e thamë nuk është i detyrueshëm. Ato ndërtesa testohen kur të ndodhin tërmete të fuqishme. Për momentin mund tj’u them që Tirana për këtë ngarkesë që u aplikua gjatë këtij tërmeti ka rezistuar relativisht mirë. Nuk e di nëse është ky testi përfundimtar sipas Eurokodit, do e shohim në të ardhmen. Po dua të them këtë që ne rekomandojmë Eurokodin për tu zbatuar po ajo nuk është gjithmonë e detyrueshme. E detyrueshme është të jetë mbi standardet e KTP, pastaj se si e aplikojnë këtë nuk kam dijeni.
Lexo edhe- Tërmetet nuk mund të parashikohen, por si mund të mbrohemi?
Për të qëndruar te KTP dhe Eurokodet, pas këtij shpjegimi, sot për studimin sizmik të vendit ku do të ndërtohet përdori intensiteti sizmik i matjes në truall (KTP), ndërkohë që në të gjithë botën përdoren parametrat e matshëm fizik (Eurokodet). Eurokodet a duhet të bëhen me ligj profesor, ndërkohë që sot i kemi me vullnet të lirë?
Harta e intensiteteve është e vërtetë, sepse harta në të cilën bazohet KTP-ja e ‘89 është hartë intensitetesh. Kështu ka qenë standard atëherë në përgjithësi dhe këtu është gjithçka normale. Aktualisht, hartat e rrezikut sizmik për qëllime të projektimit dhe të standardeve në ndërtim nuk përgatitet më në termat e intensitetit po dhe në terma fizik të lëkundjes së tokës siç është nxitimi maksimal, apo e famshmja, PGA (Peak Ground Acceleration). Ky është parametri në të cilin bazohen. Për mendimin tim është e domosdoshme që në Shqipëri të fillojë ky proces që të implementohen këto standarde, standardi evropian megjithëse ne po shkojmë në atë drejtim në integrimin në Bashkimin Evropian. Është një përpjekje që duhet ta përballojnë institucionet shkencore të vendit dhe me qëllim që siç e thashë, meqë ato e rrisin shumë nivelin e sigurisë është mirë që të bëhet. Në një farë mënyre do rrisë kostot, po mendoj se është e domosdoshme për të ndërtuar banesat.
Për të qëndruar prapë te Eurokodet dhe për ta bërë më të thjeshtë për publikun, cilat janë?
Pjesa sizmike është një pjesë e Eurokodeve po nuk është e tëra, ka shumë në aspekte të tjera që duhet t’i marrim në konsideratë dhe ti implementojmë. Sepse Eurokodi është standard i hapur për çdo vend.Çdo vend fut në Eurokod karakteristikat e veta të cilat janë tipike për vendin e vet. Kështu që Eurokodi nuk është thjeshtë në fushën sizmike por më e gjerë. Por kjo është ajo që ne na intereson dhe që është pjesë e punës tonë.
Lexo edhe- A rrezikohet Shqipëria nga tërmete të tjerë të fuqishëm? Ja paralajmërimi i sizmologut Edmond Dushi
“Rreziku sizmik i Ballkanit Jug Perëndimor”, studimi që ju keni bërë diku dhjetë vjet më parë. Risitë, qëllimi, dhe për çfarë mund të shërbejë ky studim,sepse realisht nuk kemi shumë studime të tilla për sizmicitetin në vendin tonë.
Prej kohësh është vënë re që secili vend ka patur hartat e veta të cilat nuk koordinoheshin në kufij midis tyre, secili punonte me hartat e veta dhe ka qenë e vështirë për të pasur një hartë rreziku uniform për të gjithë rajonin. Projekti shumë domethënës në vitin 2008, që u vazhdua më tej në 2011 në dy projekte të veçantë të financuara nga programet shtesë për paqe nga NATO, ku Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave ka luajtur rolin e vet me pjesëmarrje aktive si në ofrimin e të dhënave dhe në modelimin e rrezikut sizmik të kësaj pjese. Bashkëpunëtorët e departamentit tonë në këtë projekt kanë luajtur një rol parësor dhe janë ndër autorët e parë të kësaj harte të Ballkanit Perëndimor.
A bazohen sot profesor duke qenë se është shumë e rëndësishme kjo që thatë e unifikimit të hartave sizmike të vendeve të rajonit. Sot në rast se bie një tërmet në kufi, merret në bazë ky studimi?
Ky është një hap përpara për të unifikuar hartat por secili vend duhet të marrë pjesën e vet nga kjo, sigurisht për ta implementuar një standard. Ndërtimi ka nevojë që ky të detajohet dhe secili të bëjë pjesën e vet, pra ta përmirësojë në mënyrë që të jetë i aplikueshëm për standardin e ndërtimit në vendin e vet. Nuk është studimi i parë. Gjatë viteve 2000 dhe më vonë që janë bërë shumë studime por ato janë publikuar si burime shkencore, apo konferenca ndërkombëtare. Por janë punime që nuk janë të detyrueshme. Megjithatë ne e kemi idenë se ku qëndrojmë me këtë.
A duhet të ketë një ndryshim të legjislacionit përsa i përket studimit sizmik për ndërtimet?
Po, studimi sizmik për ndërtimet duhet të jetë studim që përfshihet në standardin e ri. Nuk vlen të ndryshosh hartën kur ke KTP-në, sepse KTP bazohet në atë hartë, nuk ka sens. Gjithçka duhet të jetë kompleks. Duhet të kërkohet një kod i ri të cilës i bashkëngjitet një hartë e re.
INFO/ DISA PJESE E EUROKODEVE NE FUSHEN E STUDIMIT SIZMIK
- Hartat e rrezikut sizmik probabilitar
- Studimet per rrezikun dhe kurbat e rrezikut sizmik per pershpejtimin maksimal dhe ate spektral te truallit
- Studime te mikrozonimit te qendrave te urbanizuara
- Studime te riskut sizmik
*Eurokodet janë dhjetë standardet evropiane që specifikojnë modelimin strukturor ne ndertim, që përdoren brenda Bashkimit Evropian. Ato janë hartuar nga Komiteti Evropian për Standardizimin me kërkesë të Komisionit Evropian.