“Home Neverland” në piano solo i Robert Bishës është nga ato krijime muzikore ku ti humb nga realiteti dhe përfshihesh në një udhëtim shpirtëror pa kohë për të humbur e më pas për të gjetur veten.
Teksa e dëgjoja këtë projekt në YouTube doja ta “gjeja” Robertin për të kuptuar më shumë botën e një pianisti dhe improvizuesi unik që arrin të prekë me tingujt e tij atë pjesë të shpirtit, që e merr për dore për ta shëtitur në magjinë e një udhëtimi fantastik shpirtëror.
E “gjeta” Robert Bishën në këtë intervistë për kompozimin e tij të fundit, perceptimin e tij jo vetëm muzikor mbi disa dinamika dominuese të shoqërisë sonë. Për “Home Neverland” u shpreh pak, pasi vetë dëgjuesi mundet ta ndjejë e perceptojë atë. Kritika konstruktive dhe ftesë për të guxuar artistikisht.
Për publikun dhe artdashësin kush është Robert Bisha?
Nuk di akoma si ta përshkruaj veten në aspektin karakterial dhe po ashtu ta përshkruaj muzikën time në mos me terma teknike, por që publiku jo muzikant do ndihej pak i përjashtuar. Prandaj po mundohem të tregoj diçka me një “stream of consciousness”, fluks koshience dhe ku brenda rreshtave kuptohen edhe proceset e ndryshme të aspektit tim muzikor.
Jam me origjinë nga Vau i Dejës, malësore dhe nip Zadrime. Jam rritur për disa vite në Shkodër deri në moshën 15-vjeçare ku kam studiuar piano dhe kitarë klasike. Pasi mësueset e pianos nuk më tregonin gadishmëri dhe pasion për instrumentin iu drejtova profesorit të kitarës, i cili ishte rebel, anarkist, rocker dhe krejt jo i përshtatur me ambientin e shkollës “Prenk Jakova”. Më dëgjoi dhe më mori direkt nën drejtimin e tij, ku brenda dy viteve kryeva studime të konsiderueshme. Por, pasi u trasferova në Itali kitarën nuk e studiova më muzikën klasike, përveçse personalisht në zhanrat Blues, Funk, Rock, etj.
Përveç konviktit “Prenk Jakova”, jeta e fëmijërisë, që ka më shumë rëndësi për mua zhvillohet tek komuniteti Shalom me qendër në Vaun e Dejës dhe në katundin e dajave në Ganjollë.
Komuniteti Shalom ka qenë një realitet krejt unik për Shqipërinë e viteve të çoroditura të hapjes së depove por edhe në momentin e mikpritjes së vëllezërve tanë kosovar. Ishim një grup prej 14 a15 adoleshentësh që të organizuar kryenim shërbime të ashtuquajtura sociale. Po kujtoj disa si Beni, Artani, Alida, dy Arjetat, Vjollca, Arta, Riku, Davidi, Çesku, Nikolini, Lorenci, Koleci, Kristiani, Anila, Arta, etj.
Besoj që atij komuniteti qeveria duhet t’i kishte dhënë ndonjë nga ato çmimet e shpikura për punën e bërë në ato zona, në ato vite ku vete ajo qeveri krijoi çmendurinë që njohim. Atë këmbanën e paqes përballë Piramidës sot, e kemi ndërtuar ne bashkë me komunitetet e fshatrave përrreth me gëzhojat e plumbave. Jemi nisur nga Laçi i Vaut të Dejës dhe e kemi sjell deri në Tiranë.
Në Vaun e Dejës kam dëshirë një ditë të realizoj një ide speciale që kam ndër mend prej disa vitesh. “Tu pa e tu ba” – themi ne.
Prej 16 vitesh tashmë aktiv në skenën muzikore, si një pianist, improvizues dhe polinstrumentist. Ju keni përfaqësuar në disa raste Shqipërinë në skenat ndërkombëtare duke u bërë per elitat intelektuale të Evropës perëndimore shpesh herë një pike referimi artistike. Kërkimet tuaja muzikore gjejnë interes në shumë dimensione; duke u nisur nga mekanizmat bazike të folklorit deri tek linguazhet e muzikës bashkëkohore evropiane. Ku e gjen frymëzimin Roberti ?
Frymëzimin e gjej aty ku marrë frymë, apo aty ku me bllokohet herë pas here fryma. Kjo ndodh nga një ngjarje, nga dashuria, qoftë nga humbja e saj, mërzia apo gëzimi. S’kam një ide fikse për t’u frymezuar, ose ato që jane fikse zor arrij ti tregoj me fjalë. Përshembull, jashte mekanizmave të muzikës, këto kohët e fundit po lexoj poezitë e Alda Merinit, Rilke dhe po shoh filmat e Bela Tarr apo të Tarkovskit dhe janë disi ushqim i momentit për mua. Dhe shume të tjera..
Po, disa elemente të folklorit janë të pranishëm në muzikën time. Kam kryer transkriptime dhe studime me netë të tëra mbi këngë apo më mirë, mbi këndime të folklorit tonë. Unë s’bëj më dallime midis zhanreve nëse këto janë të luajtura me kritere të larta artistike e muzikore. Njëkohësisht nuk ndalem në një kafaz, në rrymën pop, jazz, folk, elektronike apo të një lloji klasike. Të paktën mundohem të mos ndaloj dhe të jem sa më trasversal edhe në qoftë se jam duke i përdorur ato. Më pëlqen bota muzikore ku substanca gjendet, merr jetë, transformohet, transfigurohet dhe ku shifet puna e viteve të tëra në detaje.
E vërtetë që kam përfaqësuar Shqipërinë në disa vende. Por në të shumtën e rasteve kam përfaqësuar punën time dhe agjensinë me të cilën punoj dhe anasjelltas. Herën e fundit në një festival “Ohrid Summer Fest”. Aty rezultova si përfaqësues i Shqipërisë, pavarësisht se isha i ftuar nga vëllezërit tanë shqiptarë të Maqedonisë dhe nga drejtori artistik i festivalit që është maqedonas. Këtu ishte rasti ku puna ime, kompozimet e mia përfaqësonin mua dhe si pasojë unë atë natë përfaqësoja shqiptarët. Dihet, që artisti në kurrikul me origjinë shqiptare në opinionin e publikut të huaj filtron si përfaqësues i vendit të tij, por ja që pikësynimet e tij kanë qenë dhe janë më të larta se kaq dhe pse e ndjen për nder të përfaqësoje popullin e tij. Dhe nuk pyesim kurrë se sa populli e përfaqëson artistin.
Nuk jam edhe aq i gëzuar në disa raste kur përfaqësoj Shqipërinë, pasi në një fare mënyre përfaqësoj edhe disa mekanizma politike, institucionet tona për të cilat, me përjashtim të disave, nuk jam i kënaqur. Për disa, kam respekt, por natyrisht nuk janë shumica, duke konsideruar që jemi me të vërtetë një vend i vogël gjeografikisht.
Juve jeni portal, që nga emri, kryesisht përfaqesoni Tiranën. Mendoj se Tirana është totalisht në të gjitha pikëpamjet monopolizuese ndaj pjesës tjetër të Shqipërisë duke e zhveshur, boshatisur atë dhe duke punuar me manipulim mediatik mbi uniformimin e mentaliteteve të cilat kaq qartë, psh janë karakteristikë e shumëllojshmërive të folkut tonë. Qoftë kjo tendence me vetëdije apo jo ndaj kolektivitetit. Ka qytete në Shqipëri shumë më interesante se Tirana nga aspekti muzikor a kulturor, ndër shekuj. Vërtet është kryeqytet, por kjo nuk do të thotë, që duhet të jetë pikë referimi edhe për ndryshimin e mentaliteteve ndër breza. Flas për brezat që ndodhen në Shqipëri pasi i/emigrantet marrin “forma mensit” tjetër.
Kritika ju ka cilësuar si improvizues unik gati të paarritshëm dhe kjo nuk mungon as në projektin tuaj më të fundit e që tashmë gjendet në YouTube, “Home Neverland”. Ky projekt merr shkas nga origjina e lashtë suedeze. Na tregoni pak si lindi ky projekt dhe kujt ia dedikoni?
“Home Neverland” është titulli le të themi i projektit, i cili nuk bazohet në origjinën e lashtë suedeze por në udhëtimet e mia. Tema që kam zgjedh vetëm për këtë pjesë është me origjinë suedeze. Besoj e kam tranformuar mjaftueshëm për t’a përvetsuar atë. Poshte videos gjendet një përshkrim në anglisht mbi idenë e këtij projekti në Piano Solo. Ia dedikoj personave që kam takuar në këto udhëtime. Ia dedikoj njerëzve, që nga larg apo nga afër më kanë mbështetur gjatë këtyre viteve. Njëkohësisht ia dedikoj publikut, që do të ketë dëshirën për ta dëgjuar live atë.
Projekti juaj “Ritual Moods” sjell elemente të eposit verior dhe ato jugor, një përkthimi i instrumenteve të folklorit në Piano. E duke e vënë përballe me Home Neverland, si e shihni folklorin shqiptar me atë të vendeve të tjera, përkthyer në piano, sigurisht?
Në rastin e Ritual Moods ishin elementet e folkut tonë, protagoniste në ngjyrat e mia harmonike apo në eksperimentimet e mia. Në projektin e tanishëm elementët e folkut tonë i konsideroj të barabarta me elementët e tjera të huazuara apo kompozuara. As më shumë dhe as më pak. Por ju kujtoj që procesi kryesor në gjithë këtë është ai i tejkalimit të elementeve të huazuara epo të studiuara. E bëra tepër intelektuale dhe për t’a thjeshtëzuar pakëz me ironi; është projekt melodik, i këndshëm dhe me muzikë të ëmbël dashurie dhe plot me hare. Të paktën kështu rrezikohet të shkruhet si përcaktim mbi muzikën tek fjalori ynë kryesor. Nuk e di a ju ka rastisur të lexoni fjalën muzikë dhe përcaktimin e saj në fjalorin shqip. Në krahasim me vendet e tjera, folklori ynë, është me të vërtetë i pasur në dimensionin përfaqësues ku ai gjendet. E konsideroj një ndër më të pasurit, por duhet thënë që folklorët e tjerë, kanë pësuar evolucion institucional, të konsiderueshëm ndër shekuj. Ka patur investim politik në rritjen e strategjisë kulturore nëpërmjet invetimit tek kompozitorët të cilët kishin gjithashtu vendet e duhura ku të realizonin veprat e tyre. Vepra të cilat, në një moment të dytë studioheshin në institucione si akademitë e shumta, dmth. zinxhir i mirëfilltë. Shqipëria ka patur dhe vazhdon të ketë probleme bazike edhe në trashëgiminë gojore nga një brez në tjetrin. Psh.folklori i Italisë, dimensionet muzikore të atëhershme dhe që në kemi akoma sot protagoniste, janë transformuar në atë që ne quajmë Opera Lirike, e cila studiohet në gjithë botën. Edhe vete Opera lirike ka patur evolucionin e saj ne evropen perendimore por qe ne Shqiperi veshtire te vihet ne skene pershembull Opera “Lulu” e A.Berg apo “Le Grand Macabre” nga G. Ligeti se preferojme një tipologji melosi me se shumti. Perserisim “Carmen” te G.Bizet etj etj. Publiku ka nevoje per shumellojshmeri cilesore propozimesh. Eshtë kjo një temë shumë e gjerë për t’u trajtuar në një intervistë me pyetje të ndryshme. Duhet një intervistë vetëm mbi këtë temë dhe besoj që është jo e mjaftueshme për të sjellë qartësi, tek lexuesi pasi duhen bërë edhe dëgjimet e përbashkëta të pjesëve që shpjegojnë arsyet e trajtuara.
Aktualisht jetoni në Itali, a ka diçka që do ju kthejë në tokën tuaj?
Aktualisht jetoj në Itali ku kam bazamentin, por gjithnjë e më shumë po mendoj se s’ka si toka ku ke lindur. Gjeneratat tona emigrante apo imigrante mbeten gjithmonë të huaja në tokë të huaj dhe pse J. Morrison thoshte “gjithçka të duket e huaj nëse ti je i huaj”. Do thoja që si i huaj , disa nga mekanizmat e mia vendalinjve do ju duken gjithmonë të huaja dhe anasjelltas.
Kjo tematikë që sapo shtrova sinqerisht më intereson pak, pasi mundohem të frekuentoj njerëz që e ndjejnë veten pa kohe, pa kufij. Por ja që duhet shtruar për tu trajtuar. Pas kësaj, tani për tani nuk dëshiroj të kthehem në tokën time nëse nuk kam një objektiv të qartë muzikor. Kthehem me shumë kënaqësi për koncertet e mia. Mbase do kthehem kur të plaken, sepse do kem pensionin e ulët ☺, kjo është moda e fundit e organizimit ekonomik të politikanëve shqiptarë, e cila lë për të dëshiruar. Ne eksportojmë rini, bota na zbrazë pleqni! Mendoj se ndoshta jam viktimë e krimit më të madh që politikat tona në këto 30 vite i kanë bërë shqiptarët të imigrojne shpeshherë në forma traumatizuese si ato të klandestinit të cilat, plus të tjerave, unë besoj se influencojnë psikologjikisht vendimmarrjen për kthimin të përhershëm ose jo. Por ja që të gjithë në brendësi e dimë shumë mirë, që asgjë nuk është e përhershme, me përjashtim të ëndrrës.
Nga festivali “Les nuits de fourvière ” në Lion të Francës, te “SponzFest” me Capossela-n e famshëm, ju keni prekur skenat më prestigjioze europiane. Por ndërkohë jeni i pari që propozuat një koncert tërësisht të improvizuar në historinë e Shqipërisë në TKOB në Tiranë. Ku e keni përjetuar e shijuar duartrokitjen më të madhe? A ka pianisti si artist një shtet të vetin apo publiku përkthehet i njëjtë në tingujt e pianos kudo në botë?
Si numër duartrokitjen më të madhe e kam shijuar pikërisht në “Les nuits de fourviere” pasi publiku ishte i përbërë gati nga 5 mijë vetë. Natyrisht 5 mijë persona ushtojnë më shumë se 1 mijë kur brohorisin. Ndërsa duartrokitjen më të ngrohtë nuk di të zgjedh më parë se ku e kam marrë, në Prizren, po ashtu në Teatrin Metropol, në Gjirokastër, Korçë, Ohër apo Shkodër ku kam përjetuar emocione të bukura dhe ndjesi përkëdhelëse të ndryshme.
Koncertin e parë që kam bërë në piano solo në Shqipëri ka qenë pikërisht në Teatrin e Operas dhe Baletit për një publik shumë intim, për shumë pak veta. Kam luajtur kryesisht kompozimet, improvizimet e mia. Siç duket, nuk duhet të hynte në vëmendjen institucionale shqiptare.
Akoma nuk kam kuptuar, se cilat kritere dhe nëse kanë kritere përdoruese istitucionet akademike muzikore që kemi aktive. Në 30 vite s’kanë arritur akoma të krijojnë një treg muzikor qoftë ai edhe thjesht editori partiturash për kompozitorët e njohur si Zadeja, Laro etj. Për sa i përket uniformitetit të publikut në ideologjinë artistike. Nëse duam të jemi të sinqertë, nivelet e të perceptuarit të muzikës janë të ndryshme nga shteti në shtet. Në përgjithësi sa më i lartësuar ekonomikisht është një shtet aq më inteligjencë muzikore dhe shumëllojshmëri artistike do gjejmë. Por kjo nuk do të thotë që edhe ndjesia artistike apo shpirtërore është po aq e lartë. Për mua ka shumë rëndësi e dyta dhe që e gjej në Shqipëri. Për të balancuar këta dy faktor, vërtetë më duhet të udhëhiqem pak nga thënia e mençur “si është vendi bëhet kuvendi”, por jo gjithmonë se përndryshe kjo bllokon eksperimentimin i cili ndihmon revolucionin i cili ka përkrah evolucionin. Ja pra, që dhe mençuria nganjëherë është më e vogël se guximi./ Anisa Braho
