Jo vetëm shitblerja e mallrave, por edhe çdo pagesë tjetër që kryen biznesi do të kalojë nën lupën e tatimorëve.
Kjo është strategjia e Ministrisë së Financave për fiskalizimin, apo thënë ndryshe uljen e evazionit dhe informalitetit në ekonomi. Nismë, që tashmë ka nisur me detyrimin ligjor për të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë për të hapur një llogari bankare.
Kryerja e pagesave përmes bankave do të ndihmojë sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, edhe në reduktimin e kostos së lartë që ka përdorimi i cash-it në ekonomi, duke dhënë edhe një shifër për këtë.
“Përdorimi i cash-it në ekonomi, përtej efekteve zbehëse te mekanizmat e Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, atij financiar dhe zhvillimit ekonomik, ka edhe një kosto shtesë konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, e cila në nivel ekonomie shkon në më shumë se 1 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Sejko.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e pranishme në Mbledhjet e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, deklaroi se kjo reformë do të bëjë të mundur kontrollin dhe zbulimin e evazionit në kohë reale.
“Nëpërmjet këtij formati, ne synojmë që transaksionet që vijnë në kohë reale të kenë mundësinë të përpunohen në mënyrë më inteligjente”, tha Denaj.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, të gjitha transaksionet midis biznesit dhe klientëve do të kryhen në mënyrë elektronike, për t’u ndjekur në vitin 2021 edhe në ndërveprimet mes bizneseve e qeverisë dhe bizneseve me njëra-tjetrën.