Problemet në familjet Dakuçi të fshatit Xibër në Klos datojnë 9 vite më parë, ndërsa sot kulmuan me vrasjen tragjike të 3 personave. Sali Dakuçi 55 vjeç vrau me armë vëllain e tij Kujtim Dakuçi 53 vjeç dhe djalin e këtij të fundit, Floget Dakuçi 19 vjeç. Më pas Sali Dakuçi e drejtoi armën nga vetja duke kryer vetëvrasje.
Mësohet se familjet e dy vëllezërve Dakuçi kanë pasur vazhdimisht probleme mes tyre, dhe shpeshherë çështjet kanë përfunduar në Gjykatën e Rrethi Gjyqësor Mat. Më 20 Mars 2012, Minushe Dakuçi (bashkëshortja e viktimës Kujtim Dakuçi) kishte kallëzuar vjehrrin e saj Liman Dakuçi dhe autorin e masakrës së sotme, Sali Dakuçin.
Sipas vendimit gjyqësor, Minushe Dakuçi i akuzonte ata për veprën penale të “dëmtime të tjera me dashje”. Konflikti kishte nisur për pulat dhe gjelin, e më pas Sali Dakuçi e kishte goditur në krah Minushe Dakuçin. Kurse vjehrri Liman Dakuçi e kishte gjuajtur me shkop.
“Data kur ka ndodhur ngjarja nuk më kujtohet, por ka qenë viti 2010. I akuzuari Sali Dakuçi doli dhe gjuajti në një gjel dhe tha do ta mbys se më vret pulat. Pastaj filloi të më shante mua me nënë e me motër. Në këtë kohë më mori burri në telefon për të pyetur për fëmijët pasi në atë kohë punonte në Thekër Martanesh. Unë i thashë burrit se Saliu më ka sharë se i gjujti gjelit. Unë i thashë o i mbajmë mbyllur ose i heqim. Në moment që isha duke folë në telefon, Saliu më ka thënë oj k**vë të vi e të shti në tokë dhe ka ardhur dhe më ka gjuajtur në shtëpi në krahë. Në këtë moment ka ardhur dhe Limani dhe më ka gjuajtur me shkop. Unë për punë minutash kam njoftuar policinë dhe më thanë unë nuk pyes për policinë. Këtë punë e ka parë Selman Dakuçi por ai nuk vete dhe nuk vjen dhe nuk flet me të akuzuarit dhe unë nuk e thërras si dëshmitar. Unë kam si provë aktin e ekspertimit”. Kjo është dëshmia e Minushe Dakuçit e administruar në dosjen gjyqësore.
Kurse kunati i saj, Sali Dakuçi në mbrojtjen e tij kishte mohuar që të kishte ushtruar dhunë ndaj Minushe Dakuçit. Ai përmendi një ngjarje të vitit 2010, duke pretenduar se kunata i kishte goditur bashkëshorten. Megjithatë, ai ka pranuar problemet që ekzistojnë mes dy familjeve, por duke shtuar se nuk janë aq të rënda saqë çështja të përfundonte në gjykatë.
“Jam në dijeni se më ka akuzuar se më ka rrahur. E vërteta është se unë nuk e kam rrahur por duke qenë se jemi fshatarë dhe jemi afër me shtëpia bëjmë fjalë. E dëmtuara ka goditur gruan time në vitin 2010, ka marrë raporte dhe gruaja ime e ka falur. Ka probleme mes nesh por jo sa për të ardhur në gjykatë. Me të dëmtuarën nuk jemi zënë për gjela, ajo ka mbajtur qëndrim agresiv ndaj nesh qe kur ka ardhur dhe mendoj se akuzën e ka ngritur për këto qëllime”.