-Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar, një iniciativë e lancuar thuajse tre vite më parë.
Shërbimi i policimit vullnetar do të funksionojë në mbështetje të strukturave vendore të policisë së shtetit duke bashkëpunuar me qëllim sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive, kontrollin e territorit, përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv. Polici vullnetar nuk mund të jetën gjyqtar, prokuror, përmbarues gjyqësor, drejtues në strukturat politike, punonjës në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.
Pjesë e kësaj strukture mund të bëhet cdo person i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën, të ketë arsimin e mesëm dhe të mos ketë qenë dënuar. Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë; Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.
Pavarësisht se quhet policim vullnetar, çdo person që vendos të bëhet pjesë ka të drejtë që të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë punës sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë.
