Është zbardhur dëshmia e Trejsi Sejdinit në Prokurori fill pas arrestimit të të dashurit të saj, Leonard Dukës në prill të 2019.
Ky i fundit, është aktualisht person i shpallur në kërkim pas vrasjes së ish policit, Santiago Malko.
Leonard Duka është pronari i lokalit ku dyshohet se u thur plani për vrasjen e ish-policit Malko.
Ndër dosjet që prokuroria ka tërhequr për të verifikuar të gjithë veprimtaritë kriminale të tij rezulton të jetë edhe ajo e prill 2019, kur forcat e posaçme operacionale kanë marrë informacion se në katin e 12 të një pallati pranë Medresesë, ndodhej një grup personash të armatosur ka ndërhyrë dhe ka arrestuar Leonard Dukën, Oltian Logën Elvis Gacajn dhe Dritan Agajn.
Në fashikujt që gazetarja investigative Klodiana Lala ka zbardhur, është edhe dëshmia e Trejsi Sejdinit.
“Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Trejsi Sejdini, e cila është e dashura e shtetasit Leonard Duka, dhe u gjet në banesën e tij, në kohën që kanë shkuar punonjësit e policisë. Ajo ka shpjeguar veprimet e kryera prej saj gjatë asaj dite dhe faktin që ka folur në telefon me Leonard Duken, të cilin e njihte prej dy vitesh, pasi ishte i fejuari i saj. Kur ka shkuar në banesën e tij ka parë se aty ishin tre persona bashkë me Leonardin.
Sa ka hyrë në banesë ka shkuar për të fjetur në dhomë me Leonardin pasi ishte e lodhur. Në mëngjes rreth orës 08:00 ka qenë në gjumë, nuk e ka ndjerë Leonardin kur është ngritur, po ai i ka thënë të ngrihej se kishte ardhur policia për kontroll. Ajo nuk kishte dijeni në lidhje me fishekët e gjetur në banesën e Leonardit dhe armën e zjarrit të gjetur jashtë pallatit dhe sende të tjera.” thuhet në dosjen e Prokurorisë.
