Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla ka zhvilluar një takim me Deepit Signh, përfaqësues i Sara International Private Ltd, e cila tashmë prej 9 vitesh është prezente edhe në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë dhe hapësirat për të nxitur investimet e huaja në Bashkinë Bulqizë, ku mes palëve u theksua nevoja e zhvillimit të projekteve konkrete në fushën e turizmit, fasonerisë, apo veprave të tjera që mund t’i shërbejnë komunitetit.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Alla u shpreh se “me Signh ndamë të njëjtin qëllim, punën, për ta kthyer vëmendjen tek cilësia e jetës së qytetarëve tanë dhe për të nxitur rritjen ekonomike dhe investimet në qytetin tonë dhe njësitë administrative nën juridiksionin e Bashkisë Bulqizë.”
Sipas tij, disa prej marrëveshjeve të projekteve të diskutuara do të nënshkruhen në vizitën që do të bëjë në Indi pas disa ditësh, gjë kjo që do të nxisë akoma më shumë jo vetëm zhvillimin e zonës, por edhe rritjen e vëmendjes së investitorëve të huaj rreth mundësive që ofron Bashkia e Bulqizës.
Sara International Private Ltd është një kompani me xhiro vjetore mbi 300 milion USD, lider në tregtimin e mineraleve të ndryshme me përfaqësi në Afrikë, Azi, Europë, lider në Industrinë tekstile në Indi, dhe eksportuesi kryesor i mineraleve nga vendi ynë dhe rajoni.
