Rreth 60 nxënës u paraqitën në spitalin e Shkodrës pasi patën shenja helmimi. Disa prej tyre shkuan në shtëpi por iu rikthyen spitalit pasi patën sërish të vjella dhe dhimbje barku.
Shefja e Infektivit në Shkodër, Rezarta Bazhdari deklaroi për mediat se në 24 orë ka pasur 34 raste, ku 8 nxënës vijojnë ende të jenë të shtruar në spital. Ajo tha se pritet rezultati i analizave, ndërkohë që u shpreh se situata është në kontroll.
“Për 24 orë janë 34 raste, ndërkohë 8 janë të shtruar. Situata është nën kontroll. Nuk ka vend për panik. Spitali po e përballon situatën. Edhe këto raste janë me intoksikim. Janë marrë mostrat për të bërë analizat që të nxirren agjentët shkaktues. Jemi në kontakt me familjarët për t’i qetësuar ata sepse situata është e menaxhueshme”, tha shefja e Infektivit në Shkodër.
