Megjithëse u dënua nga gjykata me 9 vite burgim për akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha në dëm të tre biznesmenëve nga Tirana, për Klodian Cirunën nuk kanë të sosur problemet me ligjin. Një dosje e dytë e rregjistruar në prokurorinë e Tiranës, po hetohet me qëllim zbardhjen e veprimeve mashtruese që Klodian Ciruna, nëna e tij Irma Kapllani dhe ish-e dashura e tij Daniela Muça kanë kryer në dëm të biznesmenit Skënder Zela, të cilit i kanë marë me anë të mashtrimit një shumë prej 1 milion e 100 mijë euro. Në fakt Zela, ka qënë njerku i Klodian Cirunës, dhe ish-burri i Irma Kapllanit, e cila tashmë rezulton të jetë një konsulle anonime nderi e Indonezisë në Shqipëri. Momentalisht Ciruna ndodhet në burg, pasi është dënuar për mashtrim të 3 personave, italianin Tommaso Sciavon, biznesmenin Luan Duraj dhe ndërtuesin Petraq Koka, duke i marë në total një shumë prej 488.300 mijë euro. Ciruna kishte ngritur një skemë të përkryer, duke u hequr si mik i afërt i kryeministrit Edi Rama dhe djalit të tij Gregor Rama. Duke u hequr si mik i tyre, ai mashtronte biznesmenë në Tiranë, të cilët ishin të gatshëm të jepnin shumë të konsiderueshme në euro, vetëm e vetëm, për të marë një leje ndërtimi në bashkinë e Tiranës. Edhe pse eurot janë paguar, në fakt sot e kësaj dite lejet e ndërtimit nuk janë miratuar nga bashkia, pasi gjithçka ka qënë një mashtrim. Por mjeshtëritë e mashtrimit të Cirunës dhe nënës së tij Irma Kapllani, kanë gjetur zbatim edhe brenda rrethit familjar, ku Skënder Zela, një biznesmen i suksesshëm në ndërtim, ka rënë preh e lojrave të mashtrimit të Cirunës dhe Kapllanit, duke i marë një shumë prej 1.1 milion euro. Pikërisht zhvatja nëpërmjet mashtrimit të njerkut të tij, Skënder Zela, është bërë objekt hetimi në prokurorinë e Tiranës, ku momentalisht çështja po hetohet nga prokurori Saimir Hysi. Gjatë një bashkëbisedimi me Skender Zela, ky i fundit tregon se:”…unë jam viktima e rradhës e dy supermashtruesve nënë e bir, Klodian Ciruna dhe Irma Kapllani… Cirunën e kam mbajtur më mirë se djemtë e mi, duke e sponsorizuar në shkollim, blerë apartament për të e shumë të mira materiale. Nënë e bir, më kanë mashtruar duke përdorur çfarëdo lloj strategjie për të më marë pasurinë që kisha…”. Sipas dosjes hetimore Skënder Zelës i kanë vjedhur atij shuma të mëdha parash që përllogariten 1.1 milion euro. Por kur biznesmeni Zela ka trokitur në dyert e Bankës së Shqipërisë, ai ka kuptuar se paratë e tij kurrë s’ishin depozituar në bono thesar dhe ai s’kishte asnjë interes financiar për të tërhequr nga Banka e Shqipërisë. Aty është kuptuar gjithçka se firmat e anëtarëve të Bordit Drejtues të Bankës së Shqipërisë ishin falsifikuar. / shqiptarja
Postime te ngjashme
Add A Comment
