Policia italiane ka sekuestruar një sasi prej 157 kg drogë duke vënë në pranga 32 persona. Operacioni i gjerë është organizuar në Breshia, Bergamo, Monza, Rexhio Emilia dhe Bonzano. Operacioni ishte koduar me emrin “Lart-Poshtë”, dhe si rezultat 12 persona janë arrestuar në flagrancë, dhe 6 të tjerë gjatë këtyre 14 ditëve.
Mediat italiane thonë se pjesa më e madhe e të arrestuarve janë shqiptare, dhe sasia ishte 24 kg kokainë, 83 kg hashash dhe 50 kg marijuanë që vinte nga Shqipëria, Spanja dhe Holanda dhe që do të furnizonte tregun italian. Vlera e saj arrin në 6 milionë euro.
Sipas medias së vendit fqinj hetimet kanë nisur që në muajt e parë të 2017 ndaj dy shqiptarëve rezident në Rexhio Emilia. Nga tabulatet e tyre telefonike hetuesit arritën tek shqiptarët e tjerë që jetojnë në lagjen Osio e sipërme dhe Osio e poshtme, prej nga ka marrë dhe emrin operacioni i policisë. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen të ditur.
