Besim Hajdarmataj, ish drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka kaluar vetingun.
Hajdarmata, aktualisht prokuror tek Krimet e Rënda, është paraqitur në seancë pa praninë e një avokati. Vetingu për prokurorin Hajdarmataj u krye nga trupa gjyqësore e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.
- Sipas raportit të ILDKPI subjekti ka bërë deklarim të saktë, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk është në situatën e konfliktit të interesit.
- Hajdarmataj ka deklaruar dy depozita bankare ku si burim i krijimit janë kursimet nga paga nga 1997 deri në 2016. KPK tha se deklarimi përputhet me të dhënat e bankës dhe se subjekti ka pasur mundësi financiare për të akumuluar këtë shumë.
- Po kështu nga kontrolli i pasurisë ka rezultuar se prokurori Hajdarmataj ka marrë dhuratë nga vëllai 6 mijë euro dhe 4 mijë paund të konfirmuara nga banka. Subjekti paraqiti dokumentet që provojnë se vëllai kishte mundësi t’ia bënte dhuratë.
Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.
Në maj të vitit 2018, kryeprokurorja Arta Marku e shkarkoi Hajdarmatajn si drejtues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, duke e zëvendësuar me Donika Prelën.
Disa muaj më vonë, Marku e transferoi Hajdarmatajn në Progradec, por në fillim të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ktheu atë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë por këtë herë si prokuror.
Hajdarmataj ka udhëhequr një sërë çështjesh të nxehta, mes tyre atë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ishte Hajdarmataj, prokurori që firmosi kërkesën për heqjen e mandatit për Tahirin.

