Banorët e Ketës në Bashkinë e Klosit lëshojnë sinjalin “sos”. Prej shtatë ditësh ato janë izoluar nga reshjet e dëborës dhe bllokimi i rrugës që i lidh me Klosin e Tiranën. Presin që moti të përmirësohet e bashkia të kujtohet për hapjen e rrugës, për të zgjidhur transportin e njerëzve, furnizimin me ushqime dhe përballimin e ndonjë emergjence dimërore.
Kryetari i këtij fshati, Sali Muca, thotë se dimri vazhdimisht është i egër për banorët e këtushëm, por këtë vit situata duket e vështirë. “Jemi të izoluar që nga fillimi i javës së kaluar, thotë Muca. Këtu lartësia e dëborës është afro 70 cm dhe hapja me mjete rrethanore, me krah, është e pamundur. Banorët kanë hapur me lopata rrugët që lidhin shtëpitë me njëra-tjetrën, ndërkohë rruga që lidh fshatin me Xibrin është e gjatë dhe nuk përballohet nga ana jonë”, nënvizon Sali Muca. Ai shton se shqetësimin ia ka bërë të ditur kryebashkiakut Basir Cupa, por mjeti që mbërriti deri në Xibër Murrize, dy ditë më parë është kthyer në rrugë. Ky është fshati më i largët në rrethin e Matit. Edhe në mot të mirë rruga është mjaft e vështirë, ndërkohë tani në dimër bëhet e pakalueshme. Në Ketë kanë nevojë për mbështetje afro 320 banorë.
E njëjta situatë edhe në fshatrat Gjocaj e Lami i Madh në njësinë administrative Derjan. Atje janë izoluar afro 200 banorë. Ashtu si banorët e Ketës edhe këto kërkojnë mbështetje në këto ditë të veshtira dimri.
