Deputeti
i grupit Parlamentar Halit Valteri i cili ishte një nga firmëtarët në
dokumentin e publikuar më parë për shkarkimin e Rudina Hajdarit nga posti i
drejtueses së këtij grupi, është tërhequr nga firma e tij.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale dhe një dokumenti të publikuar Valteri
i drejtohet Kryetarit të Kuvendit duke thënë se tërhiqet nga firma e tij dhe
nëse ndodh që Rudina Hajdari zëvendësohet me Korab Litën ai do të largohet së
bashku me disa deputetë të tjerë të grupit Demokrat, kështu sipas tij grupi do
të shkrihej.
Postimi
i plotë i Valterit:
Në gojë të të marrit gjejmë farën e kryelartësisë, thoshte nënokja ime, por të
urtët e ruajnë gjithmonë gjuhën.
Por të marrin s’ke nga ta kapësh, është i paparashikueshëm! Ti e hekuros në një krahë, ai të rrudhoset në krahë tjetër.
I marri bëhet kryetar vendi, kont, dukë, pse jo edhe mbret… vetëm për pak sekonda, derisa mbreti del cullak.
Gjithsesi në sqarim të opinionit publik, marrë përgjegjësinë si nënkryetar i grupit parlamentar të deklaroj, se ne kryetar të marrë nuk kemi, e as që do të kemi ndonjëherë.
E nëse ky vendim nuk u pëlqen të marrëve, që gjejnë lloj lloj metodash për tu faktorizuar për disa minuta, me lumturimë të thellë u them, se nuk ka asnjë shkarkim apo zëvendësim të kryetarit të grupit parlamentar.
Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në “dobi” të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë.
Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup.
Patjetër që ka debat konstruktiv brenda grupit, por kurrë s’do të pranojmë të bëhemi peng të askujt, që u pasurua duke varfëruar, e që sot kërkon të mbrojë milionat me votat e atyre që i larguan.
Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je!