Ambasada amerikane ka nisur një seri tjetër videosh shpjeguese por këtë herë jo për reformën në drejtësi, por për përcaktimet publike për korrupsionin madhor sipas legjislacionit të SHBA.
“Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të ambasadës së SHBA në Tiranë.
Në video shfaqen dhe emrat e atyre që tashmë nuk lejohen në SHBA, Tom Doshi, Vangjush Dako dhe Adriatik Llalla.
Por në fakt nga 100 persona që Sekretari i Shtetit ka shpallur non grata në të gjithë botën, 14 janë shqiptarë, ku bëhet fjalë për Doshin, Dakon dhe Llallën me gjithë familjet e tyre.
POSTIMI I AMBASADËS
Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, ne do të shpjegojmë përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.