Policia e Korçës ka mund të zbërthejë një bandë vjedhjesh në këtë qytet, të cilët bastisnin shtëpitë ku merrnin sende të ndryshme e që më pas i shisnin në një pikë të tyre shitjesh.
Në sajë të operacionit të koduar “Banesat”, janë arrestuar K.I, 28 vjeç, (i dënuar më parë disa herë për veprën penale “Vjedhja”), K.S, 26 vjeç.
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj A.K, 20 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi T.L, 34 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë disa herë për veprën penale “Vjedhja”).
Gjithashtu u vendos masa e sekuestros preventive për pikën e shitjes, në të cilën keta shtetas tregtonin sendet e vjedhura, një pjesë e të cilave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të jenë autorë të ngjarjeve të mëposhtme:
Në datë 04.08.2018, është vjedhur banesa e shtetases M.K, në lagjen nr.12, ku është marrë një televizor.
Në datën 16.10.2019, janë vjedhur banesat e shtetasit Th.Ç, dhe shtetases P.G, në lagjen nr.4, ku janë vjedhur tre televizorë dhe tre soba.
Në datën 18.10.2019, është vjedhur banesa e shtetasit I.K, në lagjen nr.1, ku kanë marrë sende dhe orendi të ndryshme shtëpiake.
Shtetasit K.I; A.K dhe T.L, sendet e vjedhura në banesa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, i shisnin më pas tek pika e tregtimit të shtetasit K.S, në lagjen nr.8 të qytetit, ndaj së cilës u vendos masa e sekuestros preventive.
Vijon puna për kapjen e shtetasit T.L, si dhe dokumentimin me prova ligjore edhe të disa vjedhjeve të tjera, ku autorë të tyre dyshohet të jenë shtetasit e lartpërmendur.
