Në Grupin D të Ligës së Kampionëve, Juventusi pret në shtëpi Lokomotivën e Moskës. Bardhezinjtë vijnë nga një seri prej gjashtë fitoreve radhazi në ndeshjet kompetitive, teksa kanë shënuar nga dy gola në pesë nga këto gjashtë ndeshje, ndërsa e kanë zhbllokuar rezultatin gjithnjë në pjesën e parë.
Në këtë aspekt nuk mbetet pas as Lokomotiva e Moskës që e ka zhbllokuar rezultatin në shtatë nga 11 ndeshje në pjesën e parë, duke përfshirë edhe dy golat e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve.
Rusët kanë treguar se mund të bëjnë dëm në transfertë teksa kanë mposhtur Leverkusenin në Gjermani. Ndërkohë, Juventusi nuk i lejon hapat fals në shtëpi, teksa është në kuotë të barabar pikësh me Atletikon dhe kërkon ta mbyllë grupin si vend i parë.