Policia ka arrestuar përfaqësuesin e firmës që kryente punimet si dhe ka shpallur në kërkim administratori dhe drejtuesja teknik pas aksidentit tragjik në punë, që i mori jetën 40-vjeçarit Dashamir Hyka, në Golem.
I arrestuari është M. K., 37 vjeç, banues në Durrës ndërsa të shpallurit në kërkim janë I. K. dhe E. S.
Sipas policisë në objektin e ndërtimit ku u rrëzua teksa punonte dhe më pas gjeti vdekjen në spital Dashamir Hyka, janë shkelur kushtet e sigurisë në punë.
M. K., me detyrë përfaqësues i firmës që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve në objektin e ndërtimit në Golem akuzohet se ka shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punëtori Dashamir Hyka (i cili ra nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital) nuk ka qenë i siguruar dhe nuk ka patur kontratë pune me firmën e punimeve që M. K. përfaqësonte.
Ndërsa I. K. dhe E. S., janë shpallur në kërkim pasi nuk kishin marrë masa për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë.
Vetëm pak kohë më parë, dy punëtorë humbën jetën, e ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e rrëzimit të skelës në një pallat në Tiranë. Në burg ndodhet vetëm inxhinieri i kompanisë “Skela Syla”, Ilir Bendo, e ndërsa administratori i ‘Skela Syla’, Petrit Syla është lënë i lirë.
