Pas arrestimit një ditë më parë të kushëririt të 55-vjeçarit Lazër Arra në Shtoj të Shkodrës, Marashi, si autori i ngjarjes, janë zbuluar detaje të reja lidhur me motivet e vrasjes
Dyshohet se ai është bërë viktimë pas informacioneve të dhëna policisë së shtetit në zbulimin e parcelave me kanabis në zonën e Dukagjinit në Shkodër, e njohur për një aktivitet të tillë.
Lexo edhe- Vrasja në Shkodër, policia vë në pranga djalin e xhaxhait të viktimës
Hetuesit arritën në përfundimin se një nga autorët e kësaj vrasjeje është kushëri i tij, pikërisht 25- vjeçari Marash Arraj, djali i xhaxhait të viktimës.
Ka qenë pikërisht ky i fundit bashkë me babnë dhe të vëllanë, që kanë njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur. Kushërinjtë kanë deklaruar se ka qenë ora 10:00, kur kanë dëgjuar dy krisma dhe nga shtëpitë e tyre kanë shkuar drejt rrugës kryesore për të parë se çfarë ka ndodhur dhe janë përballur me kushëririn e tyre, Lazër Arraj, i vrarë me dy plumba në trup dhe i shtrirë në tokë i pajetë.
Ky është versioni i parë që kushërinjtë kanë dhënë për Policinë. Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, ata janë shoqëruar në Polici dhe pas marrjes në pyetje kanë dhënë disa versione mbi ngjarjen.
Kjo ka bërë që hetuesit të ngrenë dyshime të forta se një nga dëshmitarët ishte pikërisht edhe autori i krimit. Pas veprimeve të tjera, Policia ka vënë në pranga 25- vjeçarin Marash Arraj si të dyshuarin kryesor, ndërsa vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë.
“M.A., 26 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër. Arrestimi i tij u bë, pasi dje më datë 21.10.2019 dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin L.A. në fshatin Palaj, Njësia Administrative Shosh, Shkodër. Kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të mëparshme mes familjeve”, bëhet e ditur zyrtarisht nga Policia.
