Deputetët Taulant Balla, Anastas Angjeli dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ishin të pranishëm në Pajovë të Peqinit në një takim me votues për herë të parë dhe banorë të zonës. Në fjalën e tij, deputeti Angjeli u ndal tek reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë, e cila, siç tha ai, shkonte në drejtim të paditur.
Deputeti Balla në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të shtetit. Sipas tij, e ardhmja jonë është Shqiperia që duam, një Shqiperi me drejtësi, për të cilën ne duhet të punojmë me të njëjtën energji që punuam këtë mandat. Deputeti Balla ka nënvizuar se ka vetëm një forcë politike e cila punon fort për të ndërtuar Shqiperinë që duam, me më shumë punësim dhe mirëqënie.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi rëndësinë që kanë këto zgjedhje për vendin. Sipas saj, “nuk ka më kohë për të humbur, pasi ende pas 3 dekadash demokraci vendi akoma nuk është bërë pjesë e Bashkimit Europian. Shqiperia ka nevojë për një klasë politike serioze e cila të shkojë në një drejtim me kërkesat e shqiptarëve për një shtet më të drejtë, më të begatë dhe me më shumë punësim”. /TiranaNews/