Një tjetër pasuri e trashëgimisë botërore është shkrumbuar nga flakët. Pas Notre Dame de Paris, është Kështjella Shuri, që ndodhet në jug të Japonisë dhe pjesë e UNESCO-s, që filloi të digjej duke iu shkatërruar struktura kryesore e saj.
Flakët nisën në pjesën qendrore të objektit historik, duke u përhapur me shpejtësi në ndërtesat e tjera të kompleksit. Qindra zjarrfikës shkuan në vendngjarje për të shpëtuar sadopak nga kjo ndërtesë.
Ende nuk ka të dhëna për persona të lënduar nga kjo ngjarje apo shkaqet e zjarrit. Kështjella antike Shuri është një nga pikat kryesore turistike dhe i përket Dinastisë Ryukyu, e cila sundoi territorin japonez për 500 vjet.
Edhe pse u dëmtua shumë gjatë bombardimeve amerikane në Luftën e Dytë Botërore, kompleksi u restaurua pjesërisht dhe u hap për publikun si pjesë e një parku kombëtar në vitin 1992.