Makina e modelit Lotus, ngjyrë portokalli që ai ka ndërtuar 10 vite më parë, nuk ka një markë.
Kadri Manaj mendon të çelë kompaninë e parë shqiptare të ndërtimit të automjeteve artizanale. Ai është tek të 30-at dhe makinën e parë artizanale ka nisur ta ndërtojë në moshën 13-vjeçare.
Sëbashku me shokun e tij të ngushtë Oltin, çdo fundjavë, më këmbë a me biçikletë ata përshkonin 5 km deri sa mbërrinin në Plykë të Fierit ku i priste oazi i tyre i eksperimentit, një shtëpi përdhese me oborr me hapësirë të mjaftueshme ku dy adoleshentët larg zhurmës së qytetit prodhonin ëndrrat e tyre.
“Projekti i parë ka qenë me grup motorri, jo me grup makine”- kujton Kadriu, i qetë dhe i buzëqeshur, fjalëpak e ëndrrashumë.
“Ishte si një motor me katër rrota. Ishim shumë të vegjël dhe nuk kishim fuqi ta ngrinim motorrin e makinës. Prindërit e mi më mbështesnin me pjesën monetare. Mendonin se do të arrija diçka dhe iu pëlqente idea që merresha me diçka dhe nuk rrija lokaleve si shokët e mi. Harxhoja kohën me diçka të vlefshme.”- më rrëfen Kadriu.
Makina e parë u ka shkuar adoleshentëve 300-400 mijë lekë të vjetra. Pjesët i kishim të sajuara. Ngaqë ishim të vegjël, vijon bisedën ai, dhe nuk kishim shumë besim se do të bënim ndonjë gjë të madhe, nuk donim të shpenzonim shumë.
“Por pasioni ishte shumë i madh, ai na mban gjallë edhe tani për të jetësuar ëndrrat tona. Ose e ke, ose nuk e ke. Nuk mund ta edukosh dot, është si magnet”- më tregon ai.
Ai projekt funksionoi për disa kohë. Djelmoshat mund të ecnin në rrugët e lagjes; 30-40 km në orë. Dhe ajo makinë tashmë nuk ekziston më, por ngjizi ëndrrat për gjëra më të mëdha.
Kadriu në ditët e para të nëntorit është pjesë e panairit të Koleksionit të Mjeteve Historike Retro “N’gaz”.






