Martesat me mblesëri vijon të jenë prezente në trojet shqiptare, veçanërisht në zonat e thella.
Së fundmi, në media është publikuar historia e trishtë e një 29-vjeçareje shqiptare me probleme të shëndetit mendor, e cila është detyruar të martohet me burrë 20 vjet më të madh se ajo në qytetin Prilep të Maqedonisë e Veriut.
Ajo jeton me dy burra, të cilët nuk dinë të flasin shqip. Mirëpo drama e saj nis për faktin se dy burrat janë të varur nga alkooli dhe abuzojnë shpesh me të.
Rasti i Ermira Bushpepës është trajtuar nga gazetari i Klan Macedonia, Furkan Saliu.
Agonia e saj filloi 5 vite më parë, kur familja e saj e dërgoi në Prilep, ku do të jetonte e vetme me dy burra “pijanecë”.
Edhe pse burri i saj ishte 20 vjet më i madh se Ermira, kjo gjë nuk e pengoi Goranin për ta marrë për grua.
Por bashkëshorti i saj rri ditë të tëra pa ardhur në banesë dhe kjo gjë ka bërë që babai i tij 70-vjeçar, të abuzojë me 29-vjeçaren.
Sipas fqinjëve, gjendja shëndetësore e Ermirës është rënduar kohët e fundit. Ata tregojnë se babë e bir konfliktohen shpesh me njëri-tjetrin.
Të gjitha këto ndikuan që 29-vjeçarja të përfundojë në gjendje kome.
Në muajin shkurt të këtij viti ajo u dërgua në Spitalin e Prilepit me nivel shumë të lartë të sheqerit dhe pa vetëdije. Mjekët treguan se kanë luftuar një javë që gjendja e saj shëndetësore të stabilizohej.
Po për shkak të kushteve në të cilat ajo jeton, stafi i spitalit kanë informuar ambasadën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pasi Ermira është me kombësi shqiptare, por ata nuk janë përgjigjur.
Sipas asaj që la të nënkuptohet bashkëshorti i saj Gorani gjatë bisedës me gazetarin Saliu, prindërit e kanë shitur Ermirën tek ai me para.
Ndërmjetëse ka qenë një grua e quajtur Liza, e cila ka martuar me dhjetëra vajza me mblesëri dhe në këmbim të parave.
E shitur nga prindërit, e abuzuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj, me probleme të shëndetit mendor dhe shëndetit fizik, e lënë në mëshirë të fatit, kjo është historia dramatike e 29-vjeçares shqiptare, Ermira Bushpepa.
Ky është vetëm një nga mijëra rastet ku vajzat shqiptare shiten dhe blihen me para për martesë, gjë e cila të kujton vitet e errëta të mesjetës ku femrat trajtoheshin si “mall” dhe “plaçka”.
