Dy kandidatet e listuara të parat nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsi dhe Elsa Toska, sipas dokumenteve zyrtare rezultojnë se nuk kanë arritur të fitojnë një vit më parë testin për t’u regjistruar në Shkollën e Magjistraturës.
Vorpsi dhe Toska, dy këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, u përfshinë në një testim nga Shkolla e Magjistraturës në Maj 2018 së bashku me mbi 45 ndihmës ligjorë të tjerë në institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Testimi u organizua në përmbushje të përcaktimeve të ligjit të Vetingut, sipas të cilit, ndihmësit ligjorë që arrin një minimum prej 60 pikësh, si edhe kalonin me sukses procesin e rivlerësimit, kishin mundësinë të fitonin statusin e magjistratit.
Juristet Arta Vorpsi dhe Elsa Toska kanë marrë përkatësisht 56 dhe 57 pikë, rezultat më i ulët sesa limiti minimal prej 60 pikësh nga 100 të mundshme, që kërkohet për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, me qëllim të fitonin statusin e magjistratit.
Ndërkohë që dy kandidatet janë renditur të parat në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe pritet të votohen nga maxhoranca si anëtare të reja të Gjykatës Kushtetuese.
Faktin që nuk kanë arritur të fitojnë dot Shkollën e Magjistraturës, dy kandidatet e kanë pranuar në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.



