Sherret mes personazheve të njohur nuk kanë të sosur e së fundmi i është shtuar ai mes gazetares Mira Kazhani dhe aktorit Jul Deda. Shkak ka qenë një status i Julit në rrjetet sociale ku ofendonte Kazhanin, pas një shkrimi të kësaj të fundit për protestën e banorëve të Astirit.
Gazetarja shprehej se protesta e Astirit nuk gjeti mbështetje në masë, siç e bënë studentët vitin e shkuar. Ajo përmendte në shkrim edhe deklaratën e gruas që e quante tallje dëmshpërblimin 130 milionësh për shtëpinë e saj.
“Në kauzë dhe në formë dështoi duke ngjallur antipati tek qytetarët e tjerë. Një fotografi e Shqipërisë 30-vjeçare të keqpërdorur. Dhe që dhe pas gruas që mallkoi para mikrofonave dëmshpërblimin 130-milionësh për shtëpinë e saj, duke e quajtur tallje, ka shumë që do duan të gjejnë dikë të tallet me këtë vlerë. Shumë shqiptarë që i kanë blerë shtëpitë me borxhe, me kredi, që nuk e kanë ndezur kondicionerin në ditët e ftohta, për të kursyer, që nuk kanë mundur të blejnë ç’kanë dëshiruar e të plotësojnë ëndrra, për shkak të çmimit me të cilin duhet të siguronin një shtëpi”, shprehej Kazhani.
Pas këtij shkrimi Jul Deda e quante Kazhanin “gazetaruçe populiste” në një reagim të tijin në Facebook dhe shkonte deri më tej duke e bërë çështjen personale: “Kësaj gazetaruçes populiste, që protesta e banorëve të Astirit i duket dështim, gjejini një burrë të qetësohet se gjynah”.
Këtij postimi nuk kishte sesi t’i mungonte përgjigja e Kazhanit, e cila ia kthen aktorit në po të njëjtën mënyrë: “I dashur Juli. Është e vërtetë që nuk kam akoma një burrë. Më sa shoh, as gruaja jote nuk ka”.

