Seanca gjyqësore e gazetarit Ylli Rakipi ndaj padisë së kryeministrit Edi Rama është shtyrë, ndërsa vetë gazetari tha para kolegëve të tij se kreu i qeverisë ka zaptuar të gjitha institucionet.
Ai tha se ka bërë një kundërpadi në drejtim të kryeministrit, pasi ky i fundit e ka etiketuar me fjalët kazan dhe kadri.
Ndër të tjera Rakipi u shpreh se ky është një regjim dhe se Rama nuk pranon as të japin mendim për të. “Është më shumë se regjim, ky kryeministër ka zaptuar të gjitha institucionet, në parlament ka një opozitë qesharake që voton çdo gjë që do ai, ka një regjim absolut, është një monark.
Unë nuk po shpif, unë vërtet mendoj kështu për zotin Rama, ai më kërkon që unë të mos kem mendimin që kam për të, unë do të thërras dhe ekspertët e gazetarisë, pasi kjo është një çështje etike.
Gjyqtarja që ka në dorë çështjen time ende ka Vetingun, dhe unë mendoj se e nderuara ka frikë, pasi Edi Rama ka në dorë institucionet e Vetingut. Unë kam besim te e nderuara po nga diktatura është për të pasur frikë.
Unë do të vijoj më tej me një kundërpadi, do ta çoj ankimimin deri në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Unë pyes drejtësinë nëse fjala kazan është fyerje për gazetarët, fjala kadri është fyerje për gazetarët? Ky njeri nuk lë rast pa fyer gazetarët’, u shpreh Rakipi.
