Gjobat e bashkisë së Tiranës ndaj Partisë Demokratike për protesta të paligjshme janë rrëzuar nga gjykata.
Bëhet fjalë për shfuqizimin e të gjitha gjobave të vendosura për protestat e 25 prillit, 2 majit, 11 majit dhe 13 majit.
Sipas burimeve nga selia blu, me vendimin e datës 6 Nëntor 2019, Gjykata Administrative ka konstatuar se Bashkia e Tiranës ka shkelur ligjin duke gjobitur padrejtësisht Partinë Demokratike. Sipas gjykatës, subjekti që organizon tubimin nuk mban përgjegjësi ligjore për veprimet që kryejnë persona të tretë gjatë tubimi. Prandaj dhe në fund të shqyrtimit gjyqësor, ka vendosur të rrëzojë të gjitha gjobat e vendosura nga Bashkia e Tiranës.
Ky është rasti i dytë brenda muajit ku Bashkia e Tiranës ka humbur betejat ligjore në gjykatë me Partinë Demokratike. Më datë 4 Nëntor gjykata shpalli të paligjshme edhe gjobat e vendosura nga Bashkia e Tiranës për protestën e datës 16 Shkurt 2019.
