Kur kanë mbetur edhe 48 orë nga sfida me Francën, duket se janë vendosur edhe emrat e legjendave për tribunat kryesore ashtu si dhe ishte planifikuar nga FSHF. Ndërkohë, që në njoftimin për shtyp është bërë zyrtare edhe emri i stadiumit të ri.
Ja deklarata e Federatës Shqiptare të Futbollit:
“Qendra Sportive Kuq e Zi Sha” njofton opinionin publik për përfundimin e procesit të përzgjedhjes së partnerit për të drejtat e emrit të stadiumit. Në këtë proces pati 2 oferta financiare konkrete dhe 4 shprehje interesi. Ofertuesit ishin kompania ajrore “Air Albania” dhe kompania e njohur e karburanteve “Bolv Oil”. Këshilli i Administrimit i “Qendra Sportive Kuq e Zi sha”, në vlerësim të ofertave vendosi të përzgjedhë shoqerinë “Air Albania Shpk”, përzgjedhje e cila u aprovua nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve (75% Federata Shqiptare e Futbollit dhe 25% Ministria e Financave dhe Ekonomisë).
Përfitojmë nga rasti të falënderojmë gjithashtu edhe kompanitë “Bolv Oil”, “Sigal Uniqa Group Austria” dhe “Vodafone Albania” për shprehjen e interesit për të qenë edhe ata sponsor të stadiumit të ri.
Dje u nënshkrua kontrata e sponsorizimit mes palëve “Qendra Sportive Kuq e Zi” dhe “Air Albania”, sipas të cilës kompania ajrore “Air Albania” do të ketë të drejtën e vënies së emrit “Air Albania Stadium”.
Pra, që nga sot e deri në përfundim të kontratës 5-vjeçare, stadiumi do të quhet “Air Albania Stadium”.
Shoqëria “Air Albania shpk” është krijuar në vitin 2018, me aksionarë kryesor “Turkish Airlines” (49%), duke qenë në këtë mënyrë përfaqësuesi zyrtar i gjigantit botëror të fluturimeve në tregun shqiptar. Shteti shqiptar gjithashtu zotëron 10% të aksioneve të shoqërisë, me anë të “Albcontrol Sha”.
Ndërkaq, Këshilli i Administrimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve të Qendra Sportive Kuq e zi ka vendosur që Tribunat e stadiumit të marrin emrat e personaliteteve të historisë dhe të futbollit Shqiptar, si vijon:
– Tribuna qendrore do të emërtohet – Tribuna Qemal Stafa.
– Tribuna Lindore(Ballore) do të emërtohet – Tribuna Panajot Pano.
– Tribuna Veriore do të emërtohet Tribuna Fatmir Frashëri.
– Tribuna Jugore do të emërtohet Tribuna Vasillaq Zëri.
Në këtë mënyrë jo vetëm respektohen këto personalitete të shquar, por edhe mbahet gjallë përgjithmonë kujtesa historike e stadiumit të vjetër.
Ne e vlerësojmë këtë marrëveshje të arritur me “Air Albania” si një ndihmëse të rëndësishme për mirëmbajtjen në standarde bashkëkohore të këtij kompleksi, dhe aspak si një marrëveshje biznesi. Të ardhurat që do gjenerohen nga kjo kontratë do jenë të dedikuara për shpenzimet e mirëmbajtjes dhe për modernizimin e stadiumit me të rejat më të fundit të teknologjisë.
Inaugurimi i shtëpisë së re moderne të Futbollistëve Kuq e Zi është padyshim një moment historik dhe i gëzueshëm për të gjithë.
Ju ftojmë në “Air Albania Stadium” për të mbështetur kombëtaren dhe njëkohësisht për të parë nga afër ndryshimin e madh”, – është ky njoftimi për shtyp i Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me stadiumin e ri.