Rama i shoqëruar edhe nga Presidenti i FSHF-së Armando Duka ka takuar kryesisht futbollistët e kombëtares të cilët nesër do të kenë fatin të shijojnë për herë të parë ndjesinë e të luajturit në stadiumin më modern dhe të madh të Shqipërinë, pëballë kampionëve të botës në fuqi, Francës. Në një mbledhje në fushë me lojtarët, Rama mes batutash ka marrë kompetencat e trajnerit Reja duke u shprehur se ”taktikën ma ka lënë mua” dhe i ka thënë lojtarëve se në fushën e gjelbër duhet të lenë jetën pavarësisht rezultatit. Madje kryeministri nuk ka hezituar t’i thotë Elseid Hysajt se stadiumi ”Air Albania” është shumë më i bukur se ai i Juventusit në Itali.
Për akustikën ai u shpreh se është shumë e mirë dhe se pavarësisht se stadiumi ka një kapacitet 22 mijë tifozësh do të duken si 60 mijë tifozë. Më pas nuk kanë munguar batutat dhe shakatë mes lojtarëve të Shqipërisë dhe Ramës të cilat sollën dhe një ambient të ngrohtë dhe pozitiv në kampin kuqezi.

Me shumë mundësi kryeministri nesër do të jetë vetë i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen e parë në ‘’Air Albania Stadium’’ e cila do të inaugurohet me një ceremoni të veçantë me protagoniste këngëtaren Era Istrefi dhe nën masa të rrepta sigurie përsa i përket të pranishmëve.
Gjatë një foto të përbashkët me lojtarët e kombëtares shqiptare Rama nuk ka mundur t’i qëndrojë larg politikës. I akuzuar shpesh nga opozita se ka kapur institucionet Rama përpara fotos i ka thënë lojtarëve “Do thonë këta tani e more edhe kombëtaren”. Batuta e kryeministrit ka shkaktuar të qeshura tek lojtarët e Shqipërisë.
