Analistët Lorenc Vangjeli e Prec Zogaj bënë bashkë për herë të parë në “Java në RTSH” profesorin e njohur të psikologjisë Ylli Pango, aktivisten e të drejtave të njeriut Sevim Arbana dhe moderatoren e gazetaren sportive Ilda Bejleri.
Çfarë e bën tërheqëse dhe magnetike botën e krimit, të aftë të depërtojë në politikë, në media dhe shpesh të konsiderohet edhe si majë e hierarkisë në shoqërinë e sotme shqiptare.
Raporti mes parave dhe mendjes, banditëve dhe bukurosheve të ekranit, modeleve të gabuara dhe zgjidhjeve të duhura, politikës dhe botës së nëndheshme të krimit ishin temat e diskutimit në panelin befasues të “Java në RTSH”.
Gazetarja Ilda Bejleri tha se filozofia që frymëzon sot bashkëmoshataret e saj, është prezentë në të gjithë vendet e varfra. Ajo shtoi se përveç atyre që pranojnë të sponsorizohen nga bota e krimit, ekzistojnë edhe kategori të caktuara që po zgjedhin të largohen për një jetë më të mirë. Bejleri mori si shembull artistët dhe mjekët, ndërsa komentoi edhe karrierën e saj.
“Po tregohem pak modeste, por unë gjithçka e kam arritur vetë. Kam dalë nga bangat e gazetarisë dhe jam përpjekur shumë dhe çdo gjë e arrij me mund. Sigurisht që mashkull do të ketë në krahun tim, por jo për të më financuar. Megjithatë zgjedhjet në këtë rast lidhen edhe me edukatën e familjes” – tha Ilda Bejleri.
Gazetarja komentoi edhe pozat e saj të komentuara në rrjete duke shpjeguar edhe disa prej paraqitjeve të saj.
“Unë përshembull vërtetë dola në foto me helikopter, por kjo nuk do të thotë se është i imi. E ndava me shoqërinë atë foto. Kjo lidhet me faktin se përpiqemi të imitojmë të tjerët në një farë mënyre” – tha Bejleri në studion e emisionit “Java në RTSH”.