Tërmeti i të martës që tashmë do të shënohet si një nga më të rëndët që ka goditur vendin duke sjellë 51 viktima, solli një sërë ndryshimesh dhe në programacionin televiziv, duke u anuluar një sërë programesh, dhe duke u fokusuar në ngjarjen tragjike që preku më së shumti Durrësin dhe Thumanën.
Një nga këtëo programe ishte edhe “Hell’s Kitchen” e cila nuk u shfaq të premten në ekran. Me anë të lidhjeve direkte në ‘Top Channel’, Renato Mekolli ka zbuluar se mbrëmjen e djeshme së bashku me stafin dhe konkurrentët e programit të zhvendosen në fshatin e Bubqit, aty ku dhe dëmtimet nga tërmeti kanë qenë mjaft të mëdha.
“Kush ka mundësi vepron, sot më shumë se kurrë duhet të veprojmë. Të gjithë bashkë për njëri-tjetrin. Ne sot ndaluam në njërin nga vendet ku kishte nevojë, në Bubq. Ushqim dhe zemër të ngrohtë. Shqipëri solidare”, ka shkruar Mekolli krah videos ku shfaqet së bashku me kuzhinierët duke gatuar ushqime të ndryshme për njerëzit prezent atje.
Kujtojmë se edhe programi ‘Shiko Kush Luan’, i cili vjen pranë teleshikuesve çdo të shtunë mbrëma, anulloi transmetimin e sotëm në orën 21:00, në respekt të jetëve të humbura nga tragjedia e ditës së martë.
