Qeveria ka akorduar bursa për studentët të cilët humbën familjarët e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare më 30 nëntor, bëhet fjalë për bursën prej 15 mijë lekësh të reja në muaj për vitin akademik 2019-2020.
“Vetëm për vitin akademik 2019–2020 përfitojnë bursë në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj, studentët të cilët ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe janë anëtarë të familjeve që kanë humbur persona ose që janë shpallur të zhdukur në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, për shkak të tërmetit të datës 26.11.2019. Institucionet publike të arsimit të lartë identifikojnë studentët dhe dërgojnë listat e studentëve të identifikuar për miratim në ministrinë përgjegjëse për arsimin”, thuhet në vendim.
Do të jenë universitetet ata që do të identifikojnë këta studentë dhe listën do ia çojnë ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.
