66 vjet më parë, në janar-shkurt të 1953 Holanda pësoi një përmbytje tragjike që i mori jetën mbi 1800 personave. Para se të kërkonte ndihma, shteti, në atë kohë i varfër, mblodhi të gjithë ekspertët për të parandaluar që ngjarja të përsëritej, duke projektuar ndërtimin e digave dhe masave të tjera mbrojtëse.
Së pari, mediat holandeze të kohës bënë një pasqyrim të gjerë të tragjedisë, gjë e cila çoi në zhvillimin e skemës së parandalimit të përmbytjes së Delta Works, kompleksi masiv i portave përgjatë pjesës më të madhe bregdetare. (Holanda është nën nivelin e detit) Në fakt, televizioni publik lajmëroi disa ditë para për uraganin e tërbuar që po vinte nga Skocia drejt bregdetit holandez. Autoritetet lokale kishin frikë të reagonin se mos krijonin panik, por në mesnatë e kuptuan se situata po bëhej kritike. Nuk kishte një plan paralajmërues për njerëzit që po flinin. Rreth orës 03.00 të mëngjesit portat nuk po mbanin më dhe u hapën, dhe e vetmja mënyrë paralajmërimi për ujin që do vërshonte ishte trokitja derë më derë dhe kambanat e kishave.
Së dyti, teksa shtrohej pyetja nëse katastrofa mund të parandalohej, u vu re nevoja e ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë për të parandaluar një kërcënim të ardhshëm të një stuhie të asaj shkalle që të mos kthehej në një katastrofë të mëtejshme.
Kështu nisi puna për përmirësimin e mbrojtjes bregdetare, sistemet paralajmëruese dhe politikën e menaxhimit të përmbytjeve. Në Holandë, studimi i Komisionit Delta për shkakun dhe efektin e përmbytjes çoi në Delta Works, një seri digash, levash, portash e pengesash të tjera, përfshi këtu dhe digën nëntë kilometra të Oosterscheldekering, që mbron edhe sot Holandën nga kërcënimi i përmbytjeve bregdetare./ tirananews.al
