Ismail Qemali, arkitekt i pavarësisë kombëtare
Ismail Qemali lindi në Vlorë më 24 janar 1844 në një familje me origjinë nga Kanina. I ati Muhamed Bej Vlora ishte atdhetar i zjarrtë. E ëma Edija ishte nga familja e njo hur Libohova në Gjirokastër. Ai krenohej për katragjyshin e tij Sinan Pasha, personalitet dhe atdhetar i shquar. Me pjesëmarrjen në kryengritjet e armatosura të 1847, Muhamedi internohet në Konjë të Azisë së Vogël, kurse familja vuajti po këtë dënim në Selanik. Atje Ismail Qemali ndoqi mësimet në shkollën fetare turke.
Më 1858 vijoi mësimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Që në rininë e hershme zotëronte turqishten, frengjishten dhe greqishten. Në moshë adoleshente nisi punë si përkthyes i frengjishtes në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Stamboll ku ndoqi dhe studimet e larta për shkencat juridike. Më 1876 – 1884 emërohet Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më pas Guvernator në Bollu.
Reformatori i njohur Mit’hat Pasha, me të cilin u njoh në Danub, ndikoi në formimin e tij politik e diplomatik. Kur ndodhej në Rascuk martohet me Kleoniqi Sumerli nga Edërneja, me të cilën pati 6 djem dhe 4 vajza.
Në Stamboll lidhi miqësi të ngushtë me shkencëtarin e madh Hasan Tahsini, Rektor i Universitetit të Stambollit, dhe me vëllezërit Frashëri. Më 1877, Porta e Lartë, si kundërshtar politik të saj, e internoi në Brusë dhe në Qytahi për 7 vjet rresht. Pas vuajtjes së dënimit emërohet Qeveritar në Bolu, Galipoli e Bejrut, ku bashkëpunoi me Qeveritarin e Libanit, Pashko Vasa Skkodrani.
Më 1899, në Plovdiv nxorri gazetën “Efkiar” (“Mendimet”) Më 1900 emërohet Qeveritar i Përgjithshëm në Tripolitani, por duke ndjerë rrezikun e burgosjes prej Portës së Lartë arratiset nga Stambolli dhe shkoi në Athinë prej nga u drejtoi shqiptarëve një thirrje “për të marrë pjesë në shpëtimin e Atdheut”. Më 1901-1903 takohet me bashkëatdhetarë në Bruksel, Paris, Egjipt dhe Londër. Në Sicili vizitoi arbëreshët.
Bashkëpunoi me patriotët e njohur Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Hamdi Ohri, Shahin Kolonja, Abedin Pashë Dino, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Bajo Topulli, Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji etj.
Më 1908, kur ndodhej në Bruksel komuniteti i Vlorës i dërgoi një telegram me këtë përmbajtje: “Jemi të përmalluar të të shohim, plotësona dëshirën qoftë dhe për një kohë të shkurtër!”
Kur zbriti në Skelë të Vlorës në shtator të këtij viti, populli e priti me madhështi. Gjatë qëndrimit në vendlindje vizitoi fshatrat Tragjas, Dukat, Gumenicë, Mesaplik, Tërbaç, Vranisht, Kallarat dhe Pilur, ku la mbesa të pashlyeshme. Klubi “Labëria” që u themelua më 9 të vjeshtës së dytë të po atij viti, e zgjodhi Ismail Qemalin, Kryetar Nderi.
Më 1909 arratiset nga Stambolli dhe qëndroi në Europën Perëndimore.
Më 1911-1912 ishte frymëzues dhe organizator i kryengritjeve të mëdha popullore që çuan në shpalljene pavarësisë kombëtare. Bashkë me Luigj Gurakuqin hartuan Memorandumin e Greçës për autonominë e vendit.
Më 5 nëntor 1912, në Bukuresht organizohet takimi me koloninë shqiptare të atjeshme, ku nga u morën disa vendime dhe u telegrafuan në Shqipëri: “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar. Telegrafoni ngado. Të kini besim të plotë për fatin e Atdheut…!”
Pas takimit me përfaqësues të Fuqive të Mëdha ndërmori udhëtimin historik Trieste-Durrës-Vlorë. Kryesoi Kuvendin Kombëtar në Vlorë, i cili më 28 Nëntor 1912 shpalli Pavarësinë dhe ngriti flamurin kombëtar. Kuvendi e zgjodhi Kryetar të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.
Më 1912-1914, në qeverisjen e vendit shfaqet personaliteti i tij politik dhe diplomatik. Me pëlqimin e Fuqive të Mëdha, më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe largohet nga Shqipëria.
Së bashku me familjen vendoset përfundimisht në Nisë të Francës. Më 1914- 1919 zhvilloi një veprimtari të gjerë politike dhe diplomatike në vende të ndryshme të Europës në dobi të kombit.
Vdiq i helmuar në Peruxhia të Italisë më 24 janar 1919, duke lënë pas veprën e tij të pavdekshme, Pavarësinë e Shqipërisë.