Gjenerali Pervez Musharraf, ish lideri ushtarak i Pakistanit është dënuar me vdekje nga një Gjykatë Speciale në Islamabad. Trupa gjykuese prej tre anëtarësh e dënoi atë për akuzën e tradhtisë së lartë, e cila pritej që prej vitit 2013.
Gjenerali Musharraf mori pushtetin përmes një grushti shteti në vitin 1999, dhe shërbeu si President i vendit nga 2001 deri në 2008. Aktualisht ai është në Dubai pasi u lejua të largohej nga vendi në 2016 për një trajtim mjekësor.
Akuza ndaj Musharraf ka të bëjë me pezullimin e Kushtetutës në vitin 2007, ku vendosi rregullën e urgjencës për një veprim që synonte të zgjaste mandatin e tij. Përmes një deklarate video në fillim të dhjetorit, nga shtrati i spitalit Musharraf e quajti “të pabazë” çështjen ndaj tij. Ai është sundimtari i parë ushtarak që ka dalë para një gjykate në Pakistan për shkelje të Kushtetutës.
