Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se reagimi i vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI), gjatë samitit që u mbajt në Itali ka qenë konstant dhe pozitiv lidhur me konferencën e donatorëve pas tërmetit të 26 nëntorit.
I pyetur nga gazetarët nëse takimi i sotëm ishte një mundësi e mirë, për të siguruar një tjetër mbështetje sa i përket konferencës së donatorëve pas tërmetit të 26 nëntorit dhe cili ishte reagimi i vendeve të tjera, Kryeministri Rama theksoi se “reagimi i përgjithshëm është konstant dhe pozitiv. Unë pata dhe mbrëmë takimin me Komisionerin e ri për Zgjerimin, i cili është edhe i angazhuar personalisht së bashku me Presidenten e Komisionit për të çuar përpara organizmin e konferencës”.
“Ndërkohë që përsëri, pas nënvizimit të gjithë falënderimeve të merituara dhe që asnjëherë nuk do ishin mjaft në fakt në raport me çka shumë vende edhe këtu të pranishme bënë dhe nënvizimit të nevojës për të patur një mbështetje të gjerë si rezultat i domosdoshmërisë për të përballuar një tërësi pasojash, që janë vërtetë të mëdha dhe që do të kishin tronditur çdo vend, kuptohet në raport me territorin dhe me popullatën, absolutisht që reagimi ka qenë përsëri shumë pozitiv”, – nënvizoi Rama.
Lidhur me pyetjen se sa kohë do ti duhet vendit pas konferencës së donatorëve për ta rikthyer situatën në normalitet, Kryeministri Rama tha se “besoj që do ta bëjmë me intensitetin e duhur maksimal dhe do të arrijmë të realizojmë një shembull domethënës të vizionit, vendosmërisë dhe ambicies për Shqipërinë që duam”.
Ndërsa pyetjes nëse është momenti për t’ju drejtuar sërish opozitës për të qenë bashkë gjatë këtij rrugëtimi për rindërtimin e vendit, Rama iu përgjigj se “nuk flas asnjëherë për opozitën jashtë shtetit, ju e dini këtë”.