Këshilli i Lartë të Prokurorisë zgjodhi dje me 6 vota, Arben Krajën në krye të SPAK.
Ky i fundit është prezantuar si drejtues i këtij institucioni. Ka qenë kreu i KLP Gent Ibrahimi ai që prezantoi Krajën para anëtarëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Ibrahimi theksoi se nga sot nis një proces i ri në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se tashmë SPAK është akronim që do të japë kontributin e tij.
Ndërkohë, drejtuesi i SPAK në fjalën e tij të parë pas marrjes së kësaj detyre pohoi se në këtë institucion do të krijojë një skuadër të fortë, ndërsa shtoi se “nuk është koha për llafe, pasi ka shumë punë”.
“Dy fjalë shkurt se nuk dua ta zgjasë. Kemi shumë punë për të bërë. Falënderoj KLP për këtë proces transparent. Unë thash edhe dje, i falënderoj ata që votuan për mua dhe ata që votuan për kandidatët e tjerë. Do të bëjmë një skuadër të fortë dhe do ta drejtojë me kompetencë. Koha është për punë, nuk kemi shumë llafe. Dhe do fillojmë nga puna.”, pohoi drejtuesi i SPAK.